Era e fortë dhe reshjet godasin Kosovën, pas së enjtes pritet rënie e ndjeshme e temperaturave

Moti në Kosovë do të vazhdojë të jetë relativisht i ngrohtë për këtë periudhë të vitit, por ditët në vijim pritet të sjellin ndryshime meteorologjike, me shtim të vranësirave, reshje të lehta dhe erë të fortë, sidomos të enjten. E mërkura, 18 nëntor, do të karakterizohet me mot të butë dhe temperatura që do të…

Lajme

17/11/2026 15:23

Moti në Kosovë do të vazhdojë të jetë relativisht i ngrohtë për këtë periudhë të vitit, por ditët në vijim pritet të sjellin ndryshime meteorologjike, me shtim të vranësirave, reshje të lehta dhe erë të fortë, sidomos të enjten.

E mërkura, 18 nëntor, do të karakterizohet me mot të butë dhe temperatura që do të lëvizin nga 9 gradë Celsius në mëngjes deri në 16 gradë gjatë ditës. Vranësirat do të shtohen gradualisht, ndërsa nuk përjashtohen reshje shumë të lehta.

Ndryshimi më i madh i motit pritet të enjten, më 19 nëntor. Temperaturat do të mbeten relativisht të larta për mesin e nëntorit, duke arritur nga 15 deri në 18 gradë Celsius.

Megjithatë, shqetësimi kryesor do të jetë era e fortë nga jugu dhe jugperëndimi, me shpejtësi të vlerësuar prej 30 deri në 45 kilometra në orë, ndërsa mund të ketë edhe rrebeshe më të fuqishme. Era pritet të jetë më e theksuar nga mesdita deri në mbrëmje. Gjatë ditës parashihen edhe reshje të lehta me ndërprerje.

Qytetarët këshillohen të kenë kujdes të shtuar, të sigurojnë objektet e lehta në ambientet e jashtme, tabelat reklamuese dhe skelat e ndërtimit. Kujdes i veçantë u rekomandohet edhe ngasësve të automjeteve, sidomos në rrugët e hapura.

Të premten, më 20 nëntor, pas kalimit të frontit atmosferik, moti pritet të jetë më i kthjellët dhe më i thatë. Temperaturat do të lëvizin nga 8-9 gradë në mëngjes deri në rreth 17 gradë Celsius gjatë ditës. Era do të fryjë fillimisht nga veriu dhe veriperëndimi, por gradualisht do të dobësohet.

Ftohja më e theksuar pritet pas fundjavës. Nga e shtuna, temperaturat maksimale parashihet të zbresin në 9-11 gradë Celsius, ndërsa moti do të mbetet kryesisht i thatë, me mundësi për reshje të lehta në fund të ditës. /Lajmi.net/