Komuna e Lipjanit ndan rreth 8 mijë euro për blerjen e dhuratave të fundvitit

Kuvendi komunal i Lipjanit ka finalizuar procedurat e prokurimit publik për blerjen e dhuratave me rastin e festave të fundvitit, duke lidhur zyrtarisht një kontratë në vlerë prej 7,968.00 eurosh me kompaninë prizrenase “SWEET Bakery SH.P.K.”. Sipas dokumentit zyrtar të “Njoftimit për nënshkrimin e kontratës”, vlera e parashikuar fillimisht nga autoriteti kontraktues, respektivisht Kuvendi Komunal…

Lajme

17/11/2026 13:06

Kuvendi komunal i Lipjanit ka finalizuar procedurat e prokurimit publik për blerjen e dhuratave me rastin e festave të fundvitit, duke lidhur zyrtarisht një kontratë në vlerë prej 7,968.00 eurosh me kompaninë prizrenase “SWEET Bakery SH.P.K.”.

Sipas dokumentit zyrtar të “Njoftimit për nënshkrimin e kontratës”, vlera e parashikuar fillimisht nga autoriteti kontraktues, respektivisht Kuvendi Komunal i Lipjanit, ishte 8,000.00 euro, çka tregon se çmimi final i ofruar është mjaft i afërt me buxhetin e parashikuar, duke lënë një diferencë simbolike prej vetëm 32 eurosh, raporton lajmi.net.

Për sa i përket anës financiare, e gjithë kjo shumë është planifikuar të mbulohet të të tërat nga të hyrat vetanake të vetë komunës.

Aktiviteti i prokurimit, i cili mban numrin e referencës 613-26-8842-1-3-6, është zhvilluar përmes procedurës së kuotimit të çmimeve, ku kriter bazë për përzgjedhjen e fituesit ka qenë çmimi më i ulët. Rrjedha kohore e këtij procesi tregon se njoftimi për kontratë ishte bërë publik më 14 tetor 2026, ndërsa faza e hapjes së tenderëve u mbajt pak ditë më vonë, më 19 tetor 2026. Edhe pse në këtë thirrje publike kanë shprehur interesim dhe kanë aplikuar gjithsej tre (3) operatorë ekonomikë, komisioni vlerësues ka konstatuar se vetëm një (1) tender ka qenë i përgjegjshëm dhe ka përmbushur në të terësi kriteret e kërkuara. Pas kalimit të afateve dhe publikimit të njoftimit për dhënien e kontratës më 4 nëntor 2026, palët kanë zyrtarizuar marrëveshjen me nënshkrimin e saj më 10 nëntor 2026.

Operatorë ekonomik i zgjedhur për këtë furnizim është “SWEET Bakery SH.P.K.”, me seli në rrugën “Ali Hadri” në Prizren. Përfshirja e një subjekti të tillë lidhet ngushtë me natyrën e mallrave, pasi sipas Fjalorit të Përgjithshëm të Prokurimit (FPP), kontrata i takon kodit 15820000-2, i cili përfshin produktet e pastiçerisë, ëmbëlsirat dhe artikujt e ngjashëm ushqimorë të përshtatshëm për dhurata festive. Për më tepër, në dokumentacion theksohet se kjo kontratë nuk përfshin mundësi nënkontraktimi me palë të treta.

Sa i përket ekzekutimit në terren, operatori fitues ka për detyrë që brenda një afati kohor prej 10 ditësh të përmbyllë të gjithë procesin e shpërndarjes.

Ky furnizim me dhurata për festat e fundvitit nuk do të përqendrohet vetëm në qendër të komunës, por është planifikuar të shpërndahet në disa rajone dhe vendbanime të ndryshme të Lipjanit, duke përfshirë lokacionet e fshatrave dhe vendbanimeve si Gadime, Sllovi, Rufc dhe Shalë, krahas vetë qytetit të Lipjanit./Lajmi.net/