Qeveria pa buxhet për armatosjen e FAK-ut

Askush nuk e di se me çfarë armatimi do të pajiset FAK-u kur të krijohet. Vetëm 7 milionë euro është vlera e armëve që posedon aktualisht FSK-ja, të cilat janë armë të lehta, kryesisht armë të gjata dhe të brezit.

Lajme

18/05/2014 20:24

7 milionë euro është vlera e armëve që ka në posedim FSK-ja. Në këtë forcë ka armë të gjata dhe armë të brezit të blerë nga buxheti i saj.

Nga 42 milionë euro buxheti i saj për këtë vit, 2.5 milionë euro janë të dedikuara për armatim dhe për mirëmbajtjen e tyre.

Drejtori për informim në FSK, Ibrahim Shala ka thënë se Forca është e armatosur në bazë të nevojave të vendit.

Ai ka thënë se gjithë armatimi i FSK-në është blerë nga buxheti i saj.

“Zhvillimi i FSK-së ka pasur dinamik të planifikuar të zhvillimit gjë që ka pasur për bazë edhe planifikimin  armatimit të pjesëtarëve të saj. Kanë qenë donacion të gjitha makinat që i posedon FSK-ja, donacion ky nga shteti i Gjermanisë. Pastaj kemi pasur donacion nga Turqia dhe nga shtetet e tjera”.

Aktualisht përveç armatimit të lehtë, FSK-ja nuk ka blerë dhe as që ka ndërmend të blejë armatim tjetër.

Edhepse pritet që FSK-ja të ndërroj statusin e saj, Ibrahim Shala nuk ka precizuar se sa buxhet do t’i duhet kësaj Force për armatim.

“Këto sigurisht që do të ndryshojnë, edhe çështja e buxhetit edhe çështja e armatimit të FAK-ut. Është një çështje që mbetet për tu parë dhe për tu planifikuar pas këtij transformimi”, ka thënë Shala për kTV.

Shumica e armëve të UÇK-së janë shkatërruar. Në vitin 2000 armët e luftëtarëve të UÇK-së ishin demoluar nga KFOR-i, ndërsa 2000 mijë ishin mbajtur për nevoja të TMK-së, të cilat në momentin e shuarjes së TMK-së ishin dorëzuar sërish në KFOR.