Qeveria e Maqedonisë ofron nga 70 mijë euro për policët viktima
Jetët e humbura të 8 policëve me asgjë nuk mund të kthehen, e as familjeve t’u kompensohet humbja e tyre.

Lajme
Por, një pjesë e opinionit thotë se shuma prej 70 mijë euro që Qeveria vendosi ta ndajë për familjet e policëve të vrarë është shumë e vogël. Kjo shumë duhet të ndahet në dy pjesë, gjysma për bashkëshortet e gjysma për prindërit.
Ndërsa për policët e plagosur do të ndahen 15 mijë euro për lëndime më të lehta ndërsa 40 mijë për ato më të rënda.
Opinioni komenton se këto shumë janë tejet të vogla, madje edhe nëse krahasohen me shumën që kryeministri Nikolla Gruevski e kërkoi nga lideri i LSDM-së Zoran Zaev.
Gruevski, si dëmshpërblim për shkaktimin e dhimbjes shpirtërore për rastin për mitmarrje me “Makedonska Banka”, fillimisht kërkoi 500 mijë euro, e më pas ndërroi mendje dhe kërkoi 50 mijë euro, aq sa edhe gjykoi gjyqi.
“Kur jemi tek pjesa materiale, asgjë nuk mund t’ua kompensojë familjeve, sado që të jetë shuma. Por, njerëzit kanë të drejtë kur komentojnë në lidhje me lartësinë e dëmshpërblimit. Dhe shpresoj se në të ardhmen qeveria do ta ketë këtë parasysh, sepse e ka parasysh vetveten kur anëtarë të tyre janë paditësit nëpër procese gjyqësore dhe të cilët me marrëveshje i fitojnë kontestet edhe pse nuk ishin në të drejtë”, u shpreh Vladimir Pivovarov, ish shef i inteligjencës ushtarake.
Në mënyrë shtesë, për të gjithë pjesëtarët e njësitit për intervenime të shpejta si dhe për pjesëmarrjen e njësitit të helikopterëve që u angazhuan në aksion do të ndahen nga 10 mijë euro. Ndërsa për të angazhuarit nga njësiti special i policëve do të jepen nga 5 mijë euro. Një pjesë e opinionit edhe në këtë aspekt sheh populizëm të kulluar.
“Çdo herë duhet të kihet parasysh se populizmi është si balona të cilën e fryni dhe një ditë do të pëlcasë. Është i saktë kuptimi i këtyre masave se kjo është populizëm, sepse të gjithë ne, edhe unë si ish pjesëtarë kam dhënë betimin, jam obliguar me jetën dhe trupin tim të mbroj integritetin e R.M-së dhe nëse kjo ishte synim dhe dëshirë e vërtetë e arsyetoj, por nëse është vetëm populizëm le t’u shërbejë në nder”, tha Vladimir Pivovarov, ish shef i inteligjencës ushtarake.
Ndërsa shpërblime prej 1 rrogë plotësuese do të ketë edhe për personelin mjekësor i cili u angazhua nëpër klinika, të cilët me betimin e Hiopokratit janë obliguar në çdo moment profesionalizmin e tyre ta vënë në shërbim të qytetarëve. Qeveria ofron nga 70 mijë euro për policët viktima./Alsat-M/