“Qeveri e skamjes”, ministri Peci dhe Halil Matoshi polemizojnë për rezervat e miellit dhe grurit

Një deklaratë e Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci e bërë lidhur me rezervat e miellit, nxiti gazetarin Halil Matoshi ta komentojë atë dhe ta quajë Qeverinë Kurti si ‘Qeveri e skamjes’.

Lajme

11/03/2022 20:04

Sipas Matoshit, deklarata e Pecit për rezervat e miellit prodhon vetëm frikë e skamje.

Ministri peci tha se ka rezerva të miellit edhe për dy muaj të ardhshëm, duke shtuar se mund të ketë furnizime me miell edhe nga vendet e tjera mike të Kosovës. I njëjti shtoi se pas disa muajve Kosova do ta ketë edhe grurin e ri për të korrur.

Ndaj kësaj deklarate, reagoi Matoshi, duke e implikuar kryeministrin Albin Kurti, për të thënë se mendimi i Pecit është në një linjë me atë të kreut të Qeverisë.

“Kjo gjuhë âsht e mendueme nga prizmi ideologjik i Kurtit, por e bân t’zâshme me naivitet të skajshem Peci. Sepse, ashiqare mendon se e ka deshifru atë që e mendon shefi Kryeministër!? Thjesht mos me i lânë njerëzit me mendu të lirë, jashta mendësisë së fabrikueme ose inxhinieringut social!?”, shkroi Matoshi.

Peci i është kundërpërgjigjur Matoshit, duke i thënë se deklarata e tij nuk ka të bëjë me asnjë lloj ideologjie, por me fakte të bëra publike nga Shoqata e Mullisëve.

“E kuptoj nevojën tënde për të qenë kritik ndaj pushtetit, posaçërisht të kuptoj ty, sepse ke humbë privilegje nga rënia nga pushteti. Nuk po ia mbajë ison Albin Kurtit, po e kryej punën time. Për pozicion të till nuk mund ta marrë primatin. Besoj e ke të freskët pamjen kur vrapoje si fëmija pas prindit pas liderit tënd, sot opozitar, z.Haradinaj”, shkroi Peci.

“Unë nuk po vrapoj pas Albinit, por krahas tij po përpiqem që sadopak t’ua lehtësoj jetën qytetarëve të këtij vendi, të cilëve ti me ish-partinë ua ke nxi jetën për vjet të tëra. Pra, shkaku i qeverisjes së dështuar, ti z.Matoshi ke humbë një vend pune, e natyrshme që tash je kaq alergjik ndaj qeverisjes së tashme”, shtoi më tej ai.