PZAP refuzon ankesën për certifikimin e kandidatit të PDK-së për Deçan, Korab Mushkolaj

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar ankesën e Korab Mushkolajt, kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Deçanit, i cili nuk u certifikua për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Vendimi i PZAP-së erdhi pas refuzimit të mëhershëm nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), i cili bazoi qëndrimin e tij…

Lajme

23/08/2025 21:52

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar ankesën e Korab Mushkolajt, kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Deçanit, i cili nuk u certifikua për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Vendimi i PZAP-së erdhi pas refuzimit të mëhershëm nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), i cili bazoi qëndrimin e tij në opinionin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, transmeton lajmi.net

Sipas këtij institucioni, Mushkolaj është ende i angazhuar me aktemërim të përhershëm si zyrtar i lartë në Divizionin e Ceremonialit të Departamentit të Protokollit të Shtetit – një pozitë që konsiderohet si pjesë e Shërbimit të Jashtëm dhe përfaqësimit diplomatik të Kosovës.

Ligji aktual ndalon kandidimin e personave që janë pjesë e Shërbimit të Jashtëm për pozita publike përfaqësuese, siç është edhe rasti i kandidaturës për kryetar komune.

Nga ana e saj, PDK ka kundërshtuar këtë interpretim, duke deklaruar se Mushkolaj është në statusin e nëpunësit civil dhe se ai e ka pezulluar përkohësisht detyrën në ministri për t’u angazhuar në garën zgjedhore.

Megjithatë, PZAP-ja ka theksuar në vendimin e publikuar të shtunën se Mushkolaj nuk ka ofruar asnjë provë ligjore apo dokument zyrtar që dëshmon pezullimin nga pozita në MPJD. Si rezultat, ankesa e tij është refuzuar si e pabazuar.

Korab Mushkolaj ka të drejtë të ankohet kundër këtij vendimi në Gjykatën Supreme të Kosovës brenda 48 orëve. Nëse edhe kjo ankesë refuzohet, ai përfundimisht nuk do të mund të marrë pjesë në zgjedhjet për kryetar të Deçanit./lajmi.net/