Pyjet e Kosovës përballen me shkatërrim të pakontrolluar
Qysh i vogël, Faruk Foniqin e ka karakterizuar dashuria për natyrën. Jashtë shtëpisë së tij në fshatin Dobërçan të Gjilanit, atë e tërhiqnin pyjet përreth dhe lumi që kalon përmes fshatit. Por, gjatë fëmijërisë së Foniqit, vendlindja e tij filloi të pësonte ndryshime. “Bash ku jemi ne, në ato prona bëhet prerje ilegale e drunjve”,…
Lajme
Qysh i vogël, Faruk Foniqin e ka karakterizuar dashuria për natyrën. Jashtë shtëpisë së tij në fshatin Dobërçan të Gjilanit, atë e tërhiqnin pyjet përreth dhe lumi që kalon përmes fshatit.
Por, gjatë fëmijërisë së Foniqit, vendlindja e tij filloi të pësonte ndryshime.
“Bash ku jemi ne, në ato prona bëhet prerje ilegale e drunjve”, thotë 28-vjeçari për Radion Evropa e Lirë.
Prerja ilegale e drunjve vlerësohet si fenomeni kryesor që sjell humbjen e qindra hektarëve të tokës pyjore në Kosovë çdo vit.
Mes viteve 2000 dhe 2022, Kosova humbi gati 16 mijë hektarë tokë pyje apo nga 2 deri në 3.5 hektarë në ditë, sipas një analize të bërë nga organizata Sustainability Leadership Kosova (SLK).
Foniqi, nga kjo organizatë, thotë se gjendja e pyjeve në Kosovë është alarmuese.
“Kosova – me këtë trend të shfrytëzimit të pyjeve – llogaritet që, brenda dekadës së ardhshme, nuk do të ketë pyje të shëndetshme”, thotë ai, duke treguar se për studimet e kësaj natyre, SLK-ja i dërgon të dhënat për verifikim edhe jashtë vendit.
Sipas tij, edhe pse prerjet e drunjve deri në një nivel janë të parapara, problemi në Kosovë është se prerja e tyre nuk monitorohet dhe nuk ka ndonjë plan revitalizimi të mirëfilltë të atyre zonave.
“Në vendet e tjera parashihen masat dhe kush do ta menaxhojë hapësirën e shfrytëzuar pyjore dhe kush do ta ripyllëzojë atë hapësirë. E, fatkeqësisht, te ne nuk aplikohet ky sistem”, thotë Foniqi.
SLK-ja, përveç raportimit për këtë fenomen dhe edukimit të të rinjve lidhur me problemet e mjedisit, në kuadër të programeve “Mos e merr malin” dhe “Green Wings” ka filluar edhe mbjelljen e hapësirave të shpyllëzuara.
Fillimisht, anëtarët e kësaj organizate përdorën dronë për të mbjellë fara drunjsh në fshatin Butovc të Prishtinës, ndërsa thonë se do ta kenë edhe një tjetër projekt të tillë gjatë vjeshtës së këtij viti.
Por, Foniqi insiston se ky problem do të zgjidhej shumë më shpejt nëse institucionet si Agjencia Pyjore e Kosovës, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), ndihmojnë në këto iniciativa.
“Institucionet ndoshta hezitojnë të bashkëpunojnë në programe si ‘Green Wings’ për shkak se ne e publikojmë një statistikë të frikshme [për hektarët e tokës së shkatërruar pyjore]”, thotë Foniqi, duke shtuar se në disa programe të tjera, megjithatë, ka pasur bashkëpunime.
MBPZHR-ja, duke iu përgjigjur REL-it, tregoi se Agjencia Pyjore e Kosovës i ka pyllëzuar mbi 140 hektarë gjatë vitit 2023, ndërsa këtë vit planifikohet pyllëzimi i 100 hektarëve me fidanët e prodhuar nga Instituti i Pylltarisë së Kosovës në Pejë.
Por, nga kjo ministri shprehën shqetësim lidhur me dënimet e shqiptuara, pasi që, siç thanë, “një nga faktorët që ndikon në zvogëlimin e kësaj dukurie, është edhe zbatimi i dënimeve të larta ndaj prerëseve ilegalë nga ana e gjykatave”.
“Dënimet shpeshherë janë të vogla, krahasuar me dëmin që shkaktohet në pyje, pasi që dihet se një dru i prerë ilegalisht, për t’u zëvendësuar me tjetrin nevojiten dhjetëra vite, duke shtuar këtu edhe aspektet tjera të dëmit”, thonë nga MBPZHR-ja dhe shtojnë se duhet të ketë dënime më të ashpra veçanërisht për recedivistët.
Sipas të dhënave të Agjencisë Pyjore të Kosovës, vetëm rreth 10-15 për qind e tokës pyjore në vend pritet sipas legjislacionit në fuqi.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, kushdo që kapet duke prerë trungje të drunjve në pyje mund të dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet – varësisht nga sasia e drunjve të prerë.
Policia e Kosovës bëri të ditur për REL-in se gjatë tetë muajve të parë të këtij viti janë kapur 137 persona duke kryer veprën penale të vjedhjes së pyjeve.
REL-i analizoi një pjesë të aktgjykimeve të shpallura nga gjykatat themelore të Kosovës gjatë këtij viti për rastet e vjedhjes së pyjeve.
Nga gjithsej 13 raste të analizuara, 11 prej tyre ishin dënime me gjobë nga 200 deri në 500 euro. Me 400 euro ishte dënuar Sh.Z. në Gjilan, pasi kishte prerë 33.4 metra kub drunj, duke shkaktuar dëm prej 4.511 eurosh.
Me po të njëjtën vlerë ishte dënuar edhe J.B. në Prizren, edhe pse ai kishte shkaktuar dëm më të ulët, të vlerësuar 546 euro. Ndërsa, me 450 euro ishte dënuar M.K. në Ferizaj, pasi kishte shkaktuar dëm prej 290 eurosh.
Gzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se shqiptimi i “dënimeve shabllon” është njëri ndër problemet me gjykatat në vend.
“Ka një tendencë të një përcaktimi të disa dënimeve dhe arsyetimeve shabllone për disa fusha të caktuara, pavarësisht që secili rast i ka specifikat e veta”, thotë ai për REL-in.
Në një nga rastet e analizuara nga REL-i, kryesi i veprës penale ishte lëshuar me vetëm vërejtje gjyqësore, pasi i ishte marrë si rrethanë lehtësuese “gjendja e dobët ekonomike”.
Shala nga IKD-ja tregon se Gjykata Supreme parasheh vlerësimin e rrethanave lehtësuese, por shton se gjykatat në Kosovë shpeshherë gabojnë në aplikimin e rrethanave lehtësuese dhe u japin më shumë rëndësi atyre lehtësuese sesa rënduese.
Për më tepër, ai thotë se edhe në disa fusha të tjera, si dhuna në familje apo armëmbajtja pa leje, shqiptimi i dënimeve të ulëta shkakton kryerjen e vazhdueshme të këtyre veprave penale.
“Nuk themi që dënimet duhet të jenë të larta në secilin rast, por dënimet duhet të jenë adekuate, aktgjykimet duhet të jenë të arsyetuara dhe t’u përgjigjen qëllimeve të dënimeve, që janë parandalimi i kryesit dhe dërgimi i mesazhit te shoqëria që t’ia ketë frikën ligjit dhe të mos përfshihet në vepra penale”, thotë Shala.
Sipas të dhënave të marra nga raporti vjetor i monitorimit të Strategjisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, gjatë vitit 2023, Departamenti Qendror i Inspeksionit për Pylltari dhe Gjueti i ka zhvilluar 702 kontrolle dhe i ka sekuestruar 22.7 metra kub masë drunore.
Gjatë kësaj periudhe kohore, MBPZHR-ja ka pranuar 143 aktgjykime për rastet e prerjeve ilegale në pyjet shtetërore. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre rasteve ishin parashkruar pasi lëndët ishin vjetruar.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se shumica e pyjeve në vend janë nën pronësi shtetërore. Por, shkaku i shkatërrimit të tokës pyjore, në mesin e llojeve të pyjeve, kjo agjenci liston edhe një kategori për pyje të degraduara.
Sipas studimeve të SLK-së, degradimi i pyjeve është në nivele më të larta veçanërisht në zonat kufitare të Kosovës, ku monitorimi i pyjeve është më i vogël.
Foniqi, nga kjo organizatë, thotë se, më parë, trungjet e prera të drunjve shiteshin për ngrohje. Por, pas subvencionimit të pajisjeve për ngrohje nga Qeveria e Kosovës, ai thotë se druri përdoret më shumë për industri të ndryshme.
Teksa ndër vite ka parë shkatërrimin e pyjeve në shumë zona të Kosovës, ai shpreson që gjeneratat e reja në vend do të jenë më të vetëdijshme për rëndësinë e pyjeve.
“Pyjet nuk janë vetëm një resurs që mund ta shfrytëzojmë për nevojat tona, por janë edhe resurs për gjeneratat që vijnë pas nesh dhe, njëkohësisht, kujdesen edhe për ajrin e pastër në vendin tonë”, përfundon Foniqi.