Pushteti ‘i sulet’ gjyqësorit: Nga VV s’përmbahen pasi zyrtarët iu dënuan me burg për keqpërdorim detyre
Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar me tri vite burg dhe dy mijë euro gjobë ish-drejtorin e Inspektoriatit të Komunës së Prizrenit, Islam Thaqi, nën qeverisjen e Mytaher Haskukajt, i akuzuar për veprën penale ‘keqpërdorim të pozitës’.

Lajme
Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar me tri vite burg dhe dy mijë euro gjobë ish-drejtorin e Inspektoriatit të Komunës së Prizrenit, Islam Thaqi, nën qeverisjen e Mytaher Haskukajt, i akuzuar për veprën penale ‘keqpërdorim të pozitës’.
Një gjë e tillë është njoftuar me anë të një komunikate nga gjykata. Sipas aktakuzës, “I akuzuari I.Th., në cilësinë e Drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, duke ditur se nuk kanë të drejtë të bën rrënimin e objektit pasi i dëmtuari ka aplikuar për legalizim në përputhje me vendimin e MMPH të datës 27.08.2018, jep pëlqimin, organizon dhe merr pjesë aktive në rrënimin e objektit “Abi” Sh.P.K., në Prizren”.
E dënuar me të njëjtën masë nga gjykata, sipas komunikatës, është edhe J.V, inspektore e ndërtimit, për të njëjtën akuzë, përcjell lajmi.net.
“E akuzuara J.V., në cilësinë e inspektores së ndërtimit duke ditur se nuk kanë të drejtë të bëjnë rrënimin e objektit të të dëmtuarit, meqë është në kundërshtim me vendimit e MMPH të datës 27.08.2018, përveç inspektimeve që kanë kryer në objektet, e akuzuara J.V., merr konkluzion mbi rrënimin e objektit “Abi Çarshia” pronë e “Abi” Sh.P.K., me nr. ……. me datë 15.07.2019”, bëhet e ditur më tej në aktakuzë.
I dëmtuari është udhëzuar në kontest të rregullt civil, pasi që trupi gjykues ekspertizës i ka falur besimin pjesërisht, vetëm sa i përket konstatimit të dëmit, por jo në lartësinë e tij në shumën prej 69,729.66 euro.
E para që është deklaruar lidhur me këtë çështje dhe është treguar më e përmbajtur ka qenë shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila e cila në një prononcim për Klan Kosova është shprehur se duhet konsultë paraprake para reagimit.
“Për deklarim zyrtar të grupit më duhet konsultë sepse është çështje e ndjeshme dhe serioze”, është shprehur Kusari.
Por, në vijë me shefen e GP të Lëvizjes Vetëvendosje s’ka qëndruar deputeti i këtij subjekti politik, Artan Abrashi i cili është treguar i papërmbajtshëm në reagimin e tij duke e quajtur “padrejtësi” vendimin e Gjykatës.
“Padrejtësia diku është rrezik për drejtësinë kudo!”, ka shkruar Abrashi, ish-kryesues i Kuvendit Komunal të Prizrenit.
Më tutje, edhe ish-kryetari i komunës së Prizrenit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka reaguar duke thënë se “rrënimi i objekteve pa leje duhet të trajtohet tash e tutje si keqpërdorim detyre”.
“Nga sot rrënimi I objekteve pa leje në Kosovë trajtohet si “keqpërdorim detyre”. Kosova vend i çudirave. Vetingu në drejtësi prioritet mbi prioritet”, ka deklaruar ai.
I zhgënjyer pas dënimit që në krye të Prokurorisë “s’ka ardhur Elezi” është shprehur edhe vet i dënuari nga Gjykata, zyrtari i LVV-së, Islam Thaqi.
“Shkoj Lumezi serdhe Elezi ?”, ka shkruar ai në ‘Facebook’-un e tij, me gabime drejtshkrimore, shkruan lajmi.net.
Reagim ka pasur edhe nga asamblisti dhe aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Egzon Azemi i cili ka thënë se “shteti vazhdon të jetë i kapur”, ani pse Lëvizja Vetëvendosje ka bërë gati 1 vit gjysmë që është në pushtet.
“Nuk dënohen inspektoret që përfitojnë e korruptohen nga ndërtuesit. Por dënohen ata që mbrojtën pronën publike. Shteti vazhdon të jetë i kapur. Andaj edhe lufta për çkapje duhet të vazhdoj. Dhe jo vetëm me diplomaci…”, ka shkruar Azemi.