Publikohen tjera audio-incizime të Pique – kërkoi një vend në kombëtare të Spanjës për Lojërat Olimpike

Të tjera biseda në formë të audio-incizime janë publikuar, ku përsëri Gerard Pique i Barcelonës është figura kyçe.

Sport

20/04/2022 16:18

Mbrojtësi i Barcelonës është përfshirë në një skandal të madh mediatik, që lidhet me Superkupën e Spanjës, por tashmë po zgjerohet edhe në probleme të tjera.

Pique, në një bisedë të publikuar së fundmi, dëgjohet tek i kërkon presidentit të RFEF një vend në kombëtare të Spanjës, për Lojërat Olimpike, përcjell lajmi.net. Krejt kjo pas marrëveshjes për Superkupën e Spanjës.

“Duhet ta bësh këtë për mua, hë Rubi, duhet të më bësh një vend (në skuadrën për Olimpiadë), dreqi ta hajë”, dëgjohet t’i ketë thënë Pique shefit të RFEF, Rubiales, transmeton lajmi.net.

“Jam i entuziazmuar që luajmë në Lojërat Olimpike. Duhet ta mbajmë sekret dhe t’i themi trajnerit (La Fuente) kur të përfundojnë në shtator, apo kurdo”, thuhet tutje. “Kur kompeticioni të përfundojë, do të shkoj në Madrid dhe të ulem me të. Dhe urime, mendoj se kemi arritur marrëveshje me sauditët”, dëgjohen fjalët e Pique.

Pique ka konsideruar këto publikime si ilegale. /Lajmi.net/