Pse Vuçiq nuk po i shpall zgjedhjet e parakohshme?

Edhe pse deri së fundmi ishte praktikë e rregullt, tani pushteti në Serbi i sheh zgjedhjet e parakohshme parlamentare si diçka që i përket së ardhmes. Ndoshta në pranverë, ndoshta vetëm pas një viti. Kështu u përgjigj presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga Partia Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet, ndaj kërkesës së studentëve protestues. Politologu…

Lajme

05/01/2026 11:13

Edhe pse deri së fundmi ishte praktikë e rregullt, tani pushteti në Serbi i sheh zgjedhjet e parakohshme parlamentare si diçka që i përket së ardhmes.

Ndoshta në pranverë, ndoshta vetëm pas një viti.

Kështu u përgjigj presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga Partia Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet, ndaj kërkesës së studentëve protestues.

Politologu Dejan Bursaç thotë për Radion Evropa e Lirë se ekziston një problem nëse SNS-ja, të cilën ai e quan “makineri zgjedhore”, nuk shkon në zgjedhje të parakohshme edhe pse më parë e ka bërë këtë vazhdimisht.

“Ky problem quhet: nuk mund t’i fitojnë zgjedhjet”, vlerëson Bursaç, bashkëpunëtor i lartë shkencor në Institutin për Filozofi dhe Teori Shoqërore.

“Pra, zgjedhjet për ta janë një vilajet i madh i errët”, shtoi ai.

Studentët protestues njoftuan më 29 dhjetor se gati 400.000 qytetarë kanë mbështetur kërkesën e tyre për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi.

Megjithatë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shprehu dyshime për këtë shifër, duke vlerësuar se ata nuk kanë mbledhur “as shtatë për qind” të saj.

Çfarë thanë studentët?
Tetë muaj pas paraqitjes së kërkesës për zgjedhje, studentët u bënë thirrje qytetarëve që t’i mbështesin me nënshkrimin e tyre në aksionin “Shpall fitoren”.

“Ky aksion na ka dëshmuar se edhe pas më shumë se një viti lufte të pandërprerë, vullneti dhe forca nuk po shuhen”, deklaruan studentët në Instagram.
Aksioni u zhvillua më 28 dhjetor në mbarë Serbinë, në mbi 500 stenda.

Nënshkrimet që ata kanë mbledhur nuk do t’i dërgohen asnjë institucioni si kërkesë formale për shpalljen e zgjedhjeve, as nuk janë nënshkrime mbështetëse për një listë studentore.

“Por, është një lloj presioni dhe do të ketë rëndësi në kuptimin që do të tregojë se kjo nuk është vetëm kërkesë e studentëve, por kërkesë e të gjithë qytetarëve”, tha për REL-in gjatë aksionit Nemanja, student i Fakultetit të Matematikës në Beograd.

Studentët thanë se në këtë mënyrë po krijojnë edhe lidhje me qytetarët.

Studentët nisën protesta masive në mbarë Serbinë pasi më 1 nëntor të vitit 2024, nga shembja e strehës së rindërtuar të Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, humbën jetën 16 persona dhe një u plagos rëndë.

Ata këmbëngulin për përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë në Novi Sad.

Çfarë tha Vuçiq?
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se ndaj shifrës së publikuar nga studentët për numrin e nënshkrimeve të mbledhura “vetëm u buzëqesh”.

“Atë numër askush kurrë nuk do të mundë dhe askush kurrë nuk e ka mbledhur”, vlerësoi Vuçiq në konferencën vjetore më 30 dhjetor.

Duke iu përgjigjur aksionit “Shpall fitoren”, ai tha se kërkesa e tyre kryesore ishte pranuar.

“Do të shkojmë së shpejti, vitin e ardhshëm, në zgjedhje. Vetëm se nuk do të jenë aq të lumtur kur t’i numërojnë votat”, u tha ai më 28 dhjetor të mbledhurve para Kuvendit të Serbisë.

Në ditën kur studentët organizuan aksionin e mbledhjes së nënshkrimeve, përpara parlamentit filloi largimi i çadrave në të cilat muajt e mëparshëm qëndronin mbështetësit e pushtetit.

Duke folur për afatet e mundshme të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, presidenti i Serbisë tha se ato mund të mbaheshin në maj ose dhjetor të vitit 2026.

“Më realiste është të pritet që kjo të ndodhë në fund të vitit 2026”, tha ai më 4 dhjetor në TV Pink.

Ai gjithashtu nuk e përjashtoi mundësinë që në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të kandidojë për kryeministër.
“Nëse shohim se është e mundur të mos kandidoj dhe të fitojmë, sigurisht që nuk do të jem kandidat. Nëse shohim se ndryshe është e pamundur, është e mundur që të marr një vendim tjetër”, tha ai më 28 dhjetor në TV Pink.

Para se të zgjidhej president i Serbisë në vitin 2017, Vuçiq mbante postin e kryeministrit.

Ky është mandati i tij i dytë presidencial dhe sipas Kushtetutës ai nuk ka më të drejtë të kandidojë për president të Serbisë.

Pse zgjedhjet janë një e panjohur?
Fakti që Vuçiq ende nuk ka shpallur zgjedhjet, për politologun Dejan Bursaç tregon se zgjedhjet këtë herë janë një e panjohur për partinë që është në pushtet që nga viti 2012.

Përveç këtij fakti, Bursaç u referohet edhe hulumtimeve të pavarura.

“Edhe në kushte zgjedhore të pabarabarta, ata dukshëm nuk mund t’i fitojnë zgjedhjet parlamentare”, shtoi ai.

Sipas një studimi të shtatorit nga organizata joqeveritare për monitorimin e zgjedhjeve, Crta, listën studentore e mbështesin 44 për qind e qytetarëve, ndërsa bllokun e udhëhequr nga Vuçiq e mbështesin 32 për qind.

Ky studim tregoi gjithashtu se dy të tretat e qytetarëve e shohin shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme si mënyrë për të dalë nga kriza.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi në shtator se lista studentore do të kishte rreth 20 për qind mbështetje, por në dëm të partive opozitare.

Megjithatë, në fund të tetorit, duke iu referuar një sondazhi të ri, ai tha për Informer se lista studentore për herë të parë është në rënie dhe se “gjithçka është përmbysur”.

Studentët njoftuan se nuk do të kandidojnë, por se do të vendosin se kush do të gjendet në listën që ata do ta mbështesin.

Kjo listë në publik është quajtur “studentore”.
Kërkesën për zgjedhje e paraqitën në fillim të majit 2025, pesë muaj pas fillimit të bllokadave të fakulteteve dhe protestave, duke thënë se po hyjnë në “një fazë të re të luftës”, pasi pushteti nuk i ka përmbushur kërkesat e tyre.

Zyrtarët e pushtetit i hedhin poshtë këto pretendime, duke thënë se kërkesat janë përmbushur, sidomos publikimi i dokumentacionit për shembjen e strehës dhe nisja e procesit juridik kundër të dyshuarve.

Pse pushteti nuk shkon në zgjedhje?
Partia Përparimtare Serbe gjatë dekadës së kaluar ka shkuar katër herë në zgjedhje të parakohshme parlamentare – në vitet 2014, 2016, 2022 dhe 2023.

“Edhe pse në asnjërin nga këto katër raste nuk kishte arsye të vlefshme për këtë. Nuk kishte kriza koalicioni apo të ngjashme, por thjesht donin t’ia zgjasnin vetes mandatin për katër vjet”, thotë politologu Dejan Bursaç.

Vetëm në qershor të vitit 2020, në kohën e pandemisë së koronavirusit, u mbajtën zgjedhje të rregullta parlamentare.

Tani pushteti po i shmang zgjedhjet e parakohshme prej muajsh, ndërsa Bursaç arsyen e sheh te vlerësimi për listën studentore.

Përveç kësaj, kërkesa për zgjedhje të parakohshme vjen në një moment të pafavorshëm për pushtetin, që po përballet me disa sfida në politikë të jashtme.

Si pasojë e sanksioneve amerikane ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), të vendosura për shkak të pronësisë shumicë ruse dhe ndalimit të furnizimit me naftë të papërpunuar, është ndërprerë puna e Rafinerisë.

“Është e qartë se asnjë qeveri nuk shkon në zgjedhje në një situatë kolapsi ekonomik që po vjen. Besoj se Vuçiq do të presë ndonjë rezultat lidhur me NIS-in, çfarëdo qoftë ai”, thotë Bursaç.

Presidenca e Serbisë dhe Partia Përparimtare Serbe nuk iu përgjigjën pyetjes së REL-it se përse pushteti deri tani nuk e ka pranuar kërkesën për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Disa muaj më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i tha Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) se zgjedhjet do të mbahen kur të përfundojnë përgatitjet për EXPO-n.

I pyetur pse nuk shpall zgjedhje të parakohshme parlamentare kur protestuesit i kërkojnë ato, ndonëse këtë e ka bërë katër herë gjatë dekadës së kaluar, ai tha se më parë duhet të përfundojnë përgatitjet për Expo 2027 në Beograd dhe se zgjedhjet do të mbahen në vitin 2026.

Ekspozita e specializuar EXPO do të mbahet në Beograd nga maji deri në gusht të vitit 2027.

Çfarë ndodh me opozitën?
Politologu Dejan Bursaç thotë se e kupton zgjedhjen strategjike të studentëve për të mos bashkëpunuar me opozitën.

“Por kjo nuk do të thotë se opozita nuk duhet të dalë në zgjedhje”, shton ai.

Ai mendon se duhet të ketë koordinim midis listës studentore dhe opozitës në kuptimin e kontrollit të zgjedhjeve, parandalimit të parregullsive dhe mos-sulmimit të ndërsjellë.

“Por po ashtu opozita duhet të dalë në këto zgjedhje me një plan të qartë dhe jo në gjashtë apo shtatë kolona”, theksoi ai.

Deri më tani, Partia Demokratike dhe lëvizja e djathtë Dveri kanë paralajmëruar mbështetje për listën studentore dhe vënien në dispozicion të burimeve të tyre.

Lëvizja Filloni–Ndryshimin dhe Fronti i Gjelbër–i Majtë (ZLF) kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim dhe mbështetje në organizimin e një liste të përbashkët.

Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG) konsideron se një listë e përbashkët opozitare do të ishte e dobishme për mbështetjen e studentëve.