Pse u bllokua 17 muaj tenderi për rrugën “Muharrem Fejza”?

Brenda dy viteve janë adresuar dhjetëra ankesa nga banorët e lagjes Mati1 që jetojnë në rrugën “Muharrem Fejza”, duke kërkuar që në rrugën e tyre të mos ketë gropa.

Lajme

18/02/2021 18:50

Komuna e Prishtinës të martën ka bërë njoftim se është nënshkruar kontrata me kompaninë “Rahovica” për projektin “ Implementimi i planit të mobilitetit-rekonstruim i rrugës Muharrem Fejza” në një vlerë prej 704 163,30 euro.

Këtë e konfirmoi edhe Gëzim Mehmeti, drejtori në drejtorinë e Investimeve kapitale dhe menaxhimit të kontratave, shkruan lajmi.net.

“Më në fund, pas 17 muajve zgjatje të procedurave të tenderimit, është nënshkruar kontrata e projektit: Rindërtimi i rrugës “Muharem Fejza”. Po ashtu kanë përfunduar procedurat e stërzgjatura në projektin: “Ndërtimi i rrugës Vakovc-Flotacion”, ka shkruar ai.

Për këtë tender në vitin e kaluar garuan 9 kompani:

“Kema Company” & “Eskavatori”, në vlerë prej 648.770,10 euro.

“Ledi Ing” në vlerë prej 669,058.90 euro.

“Alfa i” më vlerë prej 673.728,72 euro.

Grupi i kompanive “Rexha” & “Eko Group” në vlerë prej 682.900,40 euro.

“Rahovica Comerc” në vlerë prej 704.163,30.

“Beni Construction” & “Pro -Co Group” në vlerë prej 722.156,77 euro.

“Alko Impex –General Construction”, në vlerë prej 748.342,59 euro

“Gashi Ing” në vlerë prej 809.708,55 euro.

“Papenburg&Ardiani Company”, në vlerë prej 818.868,90 euro.

Por, si u zvarriten procedurat e prokurimit.

Dokumentet e ngarkuara në E-prokurim për këtë projekt dëshmojnë se tenderi u zvarritë nga zyrtarët e drejtorisë së menaxhimit të kontratave, drejtori kjo që udhëhiqet nga Rafuna, dhe nga zyrtarët e prokurimit komunal. Po ashtu, zvarritjet kanë pasur edhe nga shqyrtimi i ankesave të më pastajme të trajtuara nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.

Lajmi.net ka mësuar se ekspert i caktuar nga OSHP-ja për të bërë ekspertizën e tenderit mbi bazën e ankesave të kompanive,  ka qenë një ish zyrtarë i Komunës së Prishtinës, që në të kaluarën kishte punuar si zyrtar i lartë për arkitekturë.

Më datë 31 tetor 2019, prokurimi komunal e ka shpallur fitues ofertën e kompanisë “ Ledi Ing ” SH.P.K,  ( 669,058.90 euro.) e cila kishte çmimin e dytë më të lirë, pasi kompanitë në konzercium,  parë më e lirë “Kema” & “Eskavatori” patën çmimin më të lirë, ato ishin vlerësuar si të pa përgjegjshme, duke mos plotësuar disa kërkesa. Pastaj kompanitë tjera janë vlerësuar si më të shtrenjtë, ose të papërgjegjshme.

Pas  njoftimit të komunës për shpalljen e fituesit “njoftimit për dhënie të kontratës”, kërkesë për rishqyrtim pran Komunës së Prishtinës ka dorëzuar kompania “Alfa i” duke pretenduar se komisioni komunal i vlerësimit e ka shpallur fitues një kompani që nuk i ka përmbushur kërkesat sipas dosjes se tenderit. Komuna e ka shqyrtuar këtë ankesë dhe i ka dhënë të drejtë pjesërisht kompanisë “Alfa i”, dhe ka vendosur që lëndën ta kthejë edhe njëherë në rivlerësim.

Pas rivlerësimit tenderin ia ka dhënë kompanisë ankuese“Alfa i”, e cila e kishte ofertën e tretë më të lirë. Dy të parat “Kema” dhe “Ledi Ing”, i shpalli si të papërgjegjshme, ndërsa kompanitë tjera me çmimin më të shtrenjtë, dhe disa të papërgjegjshme. Po ashtu, herën e parë kjo kompani ishte shpallur e papërgjegjshme.

 

Ndërsa herën e parë e kishte shpallur fitues kompaninë “Ledi Ing”, pas rivlerësimit, e cilësoi si të papërgjegjshme, duke thënë se “Tenderi i juaj është administrativisht i papërgjegjshme: Komisioni vlerësues lidhur me vlerësimin e ofertës tuaj konstaton: OE nuk i ka plotësuar dy pozicione të paramases tek pjesa B. Rrjeti i kanalizimit atmosferik dhe fekal-punët demoluese, pozicioni nr. 2.1 dhe 2.2. Mos plotësimi i ndonjë pozicioni ose dhëna e çmimit zero eliminon automatikisht OE”.

Meqë ua lejon ligji, kompania “Rahovica” dhe “Rexha”, kërkuan rishqyrtim tek Autoriteti Kontraktues, pasi nuk u pajtuan me komisionin i cili shpalli fitues kompaninë “Alfa” në herën e dytë. Dy kompanitë u ankuan se komisioni i rivlerësimit e shpalli fitues një kompani që nuk i plotësonte kriteret. Zyra e prokurimit komunal, sikurse edhe herën e kaluar i shqyrtoji ankesat, dhe i dha të drejtë ankesës së kompanisë “Rahovica”. Pra, u vendosë që lënda të kthehet edhe një herë në rivlerësim.

Pasi e mbaji disa ditë tenderin në rivlerësim, Komuna vendosi që të shpallë një fitues tjetër. Tash oferta e kompanisë “Rexha” u vlerësua si më e përgjegjshmja, ani pse ishte e katërta në rend me çmimin më të lirë.

Nëse paraprakisht, fitues ishte shpallur kompania “Alfa”, në rivlerësim, komuna tha se kjo kompani ka ofertë të papërgjegjshme për shkak se “Tenderi është administrativisht i papërgjegjshme: Komisioni vlerësues lidhur me vlerësimin e ofertës konstaton: OE ALFA.i në ofertë nuk i ka plotësuar tërësisht kërkesat për pajisjen spërkatëse të ujit, DUD që ka sjell dëshmon daljen e pajisjes jashtë Kosovës, dhe nuk dëshmon se OE ka atë pajisje, nuk ka dëshmi as që OE me të cilin ka bërë marrëveshje për shfrytëzim të mjeteve e ka atë pajisje”.

Pas vendimit të komunës, i cili e shpalli fitues OE “Rexha”, brenda afateve ligjore është ankuar kompania “Alfa i”, duke bërë kërkesë për rishqyrtim pranë autoritetit kontraktues, pasi ka konsideruar se komisioni i rivlerësimit ia vlerësojë ofertën pa të drejtë. Komuna e mori në rishqyrtim ankesën e kompanisë.

Pas rishqyrtimit AK-Komuna e Prishtinës i dhanë të drejtë kompanisë në ankesën e saj ani pse paraprakisht e kishte shpallë të papërgjegjshme, çuditërisht komuna prapë ia dha tenderin kompanisë “Alfa i”.

Kurse, kompania “Rexha” që u vlerësua e përgjegjshme në herën e tretë, tash u vlerësua e papërgjegjshme. “OE Rexha SHPK dhe EKO Group, i kërkohet te sjell pajisjen cisternë uji të regjistruar që ka qenë pjese e listës së pajisjeve. Por OE nuk e ka sjell të njëjtën, por e ka plotësuar me pajisje tjera, ndërsa komisioni i vlerësimit nuk e ka pranuar këtë sqarime si të vlefshëm”, tha komisioni komunal i prokurimit.

Kësisoj “loja” nuk mbarojë me kaq. “Hop andej e hop këndej”, përsëri pranë autoritetit kontraktues është ankuar kompania “Rahovica”, duke ia kujtuar AK-Komuna e Prishtinës se njëherë e kishte shpallur si të papërgjegjshme kompaninë “Alfa i”, pasi ishte verifikuar se deklarata doganore e dorëzuar për makinë spërkatëse për emulsion ka qenë deklaratë e eksportit dhe në bazë të kësaj ai tenderues është eliminuar.

Por, lidhur më këtë, komuna i ka kthyer përgjigje se “Kompania e njëjtë ka paraqitur kërkesë për rishqyrtim duke sjell për dëshmi një deklaratë tjetër doganore, sipas të cilës, rezulton se mjeti që i është dërguar kompanisë në Maqedoni është kthyer prapa në gjendje të rregullt në Kosovë dhe se tani është në benzen e operatorit ekonomik me të cilën e ka marrëveshjen për shfrytëzim të makinerisë me kompaninë “Eskavatori Compan”.

Andaj, këtë herë Komuna u tregua e “vendosur”, nuk e mori për bazë ankesën e “Rahovica”, por vendosi që të nënshkruaj kontratë me kompaninë që e shpalli fitues.

Më pas “Rahovica” vendosi të ankohet tek Organi Shqyrtues i Prokurimit.

Paneli i OSHP-së pasi analizoi ankesën e kompanisë, gjeti se komuna ka bërë shkelje gjatë rivlerësimit dhe kërkoi nga ajo që ta kthejë lenden edhe njëherë në rivlerësim. Komuna u pajtua më konstatimet e OSHP-së dhe vendosi që lëndën ta kthejë në rivlerësim.

Pas rivlerësimit e shpalli fitues kompaninë ankuese “Rahovica”, ani pse më herët e kishte shpallur të pa përgjegjshme.

Për kompaninë “ Alfa” që e kishte shpallur fitues paraprakisht, tash shkroi ne oferte nuk i ka plotësuar  tërësisht kërkesat për disa pasje sipas kërkesës së dosjes së tenderit.

Andaj, kompania kërkojë rishqyrtim tek prokurimi komunal. Prokurimi ia hodhi poshtë kërkesën dhe la në fuqi vendimin e vet. Më pas “Alfa” u ankua në OSHP duke pretenduar se u shkel ligji. OSHP-ja e autorizoi ekspertin e vet për të shoshitur pretendimet e ankuesit, dhe gjeti se ka shkelje kur u shpallë fituesi. Andaj, e kërkoi ka komuna që tenderin ta kthejë në rivlerësim edhe njëherë.

Komuna e kthejë në rivlerësim tenderin dhe e shpalli fitues kompaninë “Alfa”. Për kompaninë “Rahovica” tha se “OE Rahovica – Ne vendimin 261/20 te OSHP-se ceket se OE Rahovica nuk e ka përmbushur kërkesën e AK qe te sjellën dëshmi për dy teknik te ndërtimtarisë, por OE ka sjell dy inxhinier te ndërtimtarisë, pra sipas OSHP-se OE ka sjell staf te mbikualifikuar dhe nuk ju ka përshtat kërkesave te dosjes”.

Kompania “Rahovica” nuk u pajtua me këtë vendim, kërkoi nga komuna rishqyrtim. Komuna ia hodhi poshtë ankesën dhe e la në fuqi vendimin e vet. Më 10 shtator 2020, kompania “Rahovica” është ankuar përsëri në OSHP. “Gjykata e tenderëve” e ka pranuar ankesën dhe e ka caktuar ekspertin e vet të shoshit provat. Paneli i OSHP-së rekomandoi përfundimisht që tenderi t’i jepet kompanisë “Rahovica”. Vendim, të cilin komuna vendosi ta zbatojë edhe përkundër se përsëri pati ankesa në Komuna, të cilat po ashtu e zvarritën përsëri procesin.

Lajmi.net ka raportuar në vazhdimësi lidhur me problemet e kësaj rruge me gropat. Pas problemeve të vazhdueshme, Komuna e Prishtinës kishte vendosur që një pjesë të saj ta asfaltojë, por më pas përsëri ishin hapur gropat.

Lajmi.net kishte gjetur se veprimet e komunës për asfaltim ishin bërë kundërligjshëm. / Lajmi.net/