Prishet asfalti dy centimetërsh i Hysen Durmishit

Rruga “Muharrem Fejza” në lagjen Mati 1 të Prishtinës nuk po e mban asfaltin. Ajo fillimisht u asfaltua në vitin 2004. Por, nga viti 2014, kur filloi ndërtimi i hovshëm i lagjes Mati 1, kjo rrugë vazhdon të jetë plot me gropa, ani pse administrata e kryetarit Shpend Ahmeti ndërhyri disa herë në të.

Lajme

13/02/2019 16:26

Në fund të vitit 2016, rruga “Muharrem Fejza”, u asfaltua për të dytën herë. Paraja publike u investua në të pa asnjë kriter. Si në asnjë rast tjetër, asfalti që u hodh në rrugë ishte i trash më pak se 2 centimetra dhe dyshohet se Komuna i shpërfilli edhe kriteret teknike të shkruara në tenderin që u punua kjo rrugë.

Për këtë rrugë nuk ka pasur tender të veçantë, por ai ishte bërë me tenderin që quhej “Sanimi i gropave dhe deformimeve të shtresave të asfaltit dhe trotuaret në Komunën e Prishtinës për vitin 2016”, për të cilin ka qenë e angazhuar kompania “Toifor”.

Ndonëse, ishte intervenuar para tri viteve duke u asfaltuar e gjithë pjesa, Komuna ka intervenuar përsëri në këtë rrugë duke mbyllur gropat kohë pas kohe.

Komuna thotë se investoi përkohësisht

Në Komunën e Prishtinës indirekt e pranojnë se paraja publike u hodh mbi rrugë pa asnjë kriter. Ata thonë se kanë një planë detal për të.

“Ajo rrugë është shtruar pa plan dhe pa projekt nga qeverisja e LDK-së shumë vite më parë. Si rrjedhojë, as nuk është nivelizuar, ka gjithmonë probleme, dhe kërkon investim të madh. Të gjitha investimet që i kemi bërë ne, kanë qenë ‘ad hoc’ sa për t’i sanuar prishjet e rrugës, meqë ka munguar plani dhe projekti i asaj rruge. Para dy viteve është punuar në të me kontratën për sanim të gropave, pra është intervenuar me një shtresë të hollë të asfaltit sa për t’i mbuluar gropat që kanë qenë. Intervenimet e herë pas hershme që i kemi bërë, kanë qenë një zgjidhje e përkohshme, e jo të përhershme. Ajo rrugë duhet të ndërtohet nga fillimi, për çka ne tashmë i kemi bërë edhe projektet konkrete”, ka thënë për lajmi.net Adonis Tahiri, zyrtarë për informim në Komunën e Prishtinës.

Ai tha se komuna e ka një plan investiv për këtë pjesë në të ardhmen.

“Si Komunë, jemi duke shqyrtuar dy mundësi për zgjidhjen e problemit të rrugës “Muharrem Fejza”, ta ndërtojmë prej fillimit dhe ta bëjmë rrugë njëkahëshe, apo ta ndërtojmë si rrugë dykahëshe, për çka ka edhe probleme pronësore në disa pjesë të saj”.

Komuna nuk iu përmbajt kushteve të tenderit

Kjo rrugë gjendet në pjesën lindore të qytetit dhe përbehet prej tre segmenteve kryesore:

Segmenti i parë shtrihet prej rrethit të spitalit e deri te rruga B, e punuar me katër korsi dhe ndarja në mes me një gjatësi prej 580 m.

Segmenti i dytë prej rrethit në rrugën B në një gjatësi prej 810 m ku është bërë investimi në vitin 2016. Sanimi i këtij segmenti rrugor është bërë në projektin e Komunës së Prishtinës “Sanimi i gropave në qytet për vitin 2016”.

Projekti sanimi i gropave në qytet gjatë tenderimit, ofertuesit janë pajisur me specifika teknike për kryerjen e punimeve si dhe cilësisë e materialeve të përdorura në kryerjen e punimeve.

Në vitin 2017, lajmi.net ka raportuar se pas sanimit të gjendjes ekzistuese menjëherë është dëmtuar rruga dhe është kthyer e saj në gjendjen paraprake.

Duke u bazuar në këtë mund të konstatohet se rruga është punuar pa kritere teknike, edhe pse kompaninë e ngarkonte kontrata për ekzaminimin e punimeve sipas rregullave teknike për këto punë.

Rruga është sanuar në kohën kur në qeverisjen e Prishtinës drejtor i Infrastrukturës ka qenë Hysen Durmishi, i kishte potencuar edhe vetë se kjo rrugë është kryer përkohësisht dhe kushtonte rreth 40 mijë euro.

Kjo deklaratë e Durmishit, bije ndesh me dokumentacionin e nënshkruar (kontratën) nga Operatori Ekonomik, pasi në kontratë ceken obligimet e kompanisë si dhe obligimet e investitorit. Ne asnjë nen të kontratës nuk është cekur se kompania punëkryese do të kryej punë të përkohshme, apo edhe “ad hoc”, siç thotë tash Komuna. Cilësia e punimeve në sanimin e rrugës është nën çdo nivel të punës (ka edhe ankesa të qytetarëve). Sasia e asfaltit -betonit nuk përputhet me sasinë e shkruar në kontratë, pasi trashësia e asfaltit është nën minimale.

Lajmi.net ka mësuar se, sipas dosjes se tenderit, ajo ka qenë e paraparë 5 centimetër e trash, ndërsa është punuar 2 centimetër, madje edhe nën të. Matjet janë bërë duke shkëputur me dorë një pjesë të asfaltit dhe është matur me metër. Kjo do të mund të konstatohej edhe nga organet e hetuesisë nëse do të dilnin ne teren.

Vleni të theksohet se asnjë kontratë pune nuk bëhet pa përcaktimin e specifikave teknike dhe rregullave teknike për ekzaminimi të punimeve.

Tender i vitit 2016, siç mëson lajmi.net ka përmbajtur edhe sanimin me shtresa të asfaltit në të cilat shtresa ka pasur edhe specifika teknike (kritere teknike, si për material ashtu edhe për ekzekutim).

Lajmi.net ka kërkuar të dijë nga Komuna e Prishtinës se sa ka qenë shtresa e bitozhavorit dhe sa e asfaltit betonit, por Komuna nuk ka dhënë përgjigje në këtë pyetje. Por, sipas gjendjes në teren dhe në kohën kur kompania kryente punë, nuk është vendosur shtresë e bitozhavorit në gropat, përpos që ishte gërryer rruga dhe ishte vendosur një shtresë prej 1 deri në 2 centimetra mbi të, ndërsa gropat e thella ishin mbushur vetëm me asfalt betoni. Ndonëse kontrata përmbante edhe pozicionin e bitozhavorit, nuk dihet nëse komuna e ka paguar edhe atë pozicion, ani pse nuk është vendosur në rrugë.

Më poshtë mund të shihni gjendjen aktuale të një pjese të rrugës, ku nga gropat shihet edhe gërryerja e rrugës që ishte bërë në vitit 2016 para se të asfaltohej, dhe ku shihet trashësia e saj që është më pakë se 2 centimetra. M.B /Lajmi.net/