Protestë kundër deklaratës së Presidentes

Kundër qëndrimit të Presidentes, se nuk do të lejohet assesi bartja e shamisë në institucionet shkollore, do të protestojë “Lëvizja Bashkohu”.

Lajme

23/10/2013 09:31

Një deklaratë e Presidentes Atifete Jahjaga, se nuk do të lejohet bartja e shamisë në shkollat publike në Kosovë, ka nxitur mbajtjen e një proteste në Prishtinë.

Sot kundër qëndrimit të Presidentes do të protestojë “Lëvizja Bashkohu”, e cila thotë se është prekur jashtëzakonisht shumë nga ky qëndrim, për të cilin muaj më parë ka pasur një debat të ashpër dhe plot tensione edhe në Kuvendin e Kosovës.

Qëndrimin e saj kategorik kundër bartjes së shamisë në shkolla, Jahjaga e ka bërë të ditur në një intervistë për KTV’në, ku është shprehur decidivisht se nuk do të lejohet assesi bartja e shamive në shkollat publike.

“Kjo nuk lejohet dhe nuk do të lejohet sepse Republika e Kosovës është shtet laik”, ka thënë ajo, duke folur për shkollat publike dhe për vajzat nën moshën 18-vjeçe.

“Nuk do të lejohet bartja e shamisë”, ka insistuar ajo.

“Lëvizja Bashkohu” nuk ka njoftuar për vendin e protestës, e cila është planifikuar të mbahet gjatë qëndrimit të Kryeministrit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan në Kosovë.

/Kosovapress, Lajmi.net/