Protestat në Mitrovicë të Veriut gjatë vitit 2021 – Prokuroria aktakuzë ndaj gjashtë personave: I kishin zënë pritën policisë, mjetet blinduara u goditën me plumba e granata dore

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë persona për protestat në vitin 2021 në Mitrovicë të Veriut. Sipas aktakuzës, gjashtë të akuzuarit i kishin zënë pritën policisë dhe kishin goditur mjetet e blinduara me plumba e granata dore, transmeton lajmi.nt. Tre nga ta në të njëjtën ditë kishin sulmuar zyrtarët policorë e doganorë…

Lajme

23/09/2025 15:58

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë persona për protestat në vitin 2021 në Mitrovicë të Veriut.

Sipas aktakuzës, gjashtë të akuzuarit i kishin zënë pritën policisë dhe kishin goditur mjetet e blinduara me plumba e granata dore, transmeton lajmi.nt.

Tre nga ta në të njëjtën ditë kishin sulmuar zyrtarët policorë e doganorë me bombola gazi e armë zjarri.

Njoftimi i plotë: 

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër S.S., I.V., M.V., M.R., N.M. dhe A.L., për veprat penale “Pjesëmarrja në turmë” që kryen veprën penale “Huliganizmi”, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit, më 13.10.2021, kanë marrë pjesë me dashje në turma të mbledhura prej rreth më shumë se dhjetëra personash në Mitrovicë të Veriut, numri i të cilëve është rritur dhe ulur varësisht nga lëvizjet e tyre, dhe kanë goditur me gurë, shufra druri dhe metali, si dhe me granata dore, pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe Doganës, duke shkaktuar rrezik të përgjithshëm.

Sipas aktakuzës, ata kishin zënë pritë policisë në vendin e ngjarjes duke vendosur barrikada, ndërsa mjetet e blinduara të policisë janë goditur me plumba nga të shtënat me armë zjarri dhe me granata dore. Si pasojë, B.A., E.V. dhe S.A., pjesëtarë të Policisë së Kosovës, kanë pësuar lëndime trupore.

Në të njëjtën ditë, të pandehurit I.V., M.V. dhe M.R., në lagjen “Berxhane”, kanë sulmuar zyrtarët policorë dhe doganorë me bombola gazi, e me armë zjarri në drejtim të tyre dhe të automjeteve zyrtare.

Turma e personave është drejtuar drejt një barnatore, ku janë lënduar zyrtarët policorë M.M., Xh.M., A.R., B.Sh. dhe A.M, dhe është shkaktuar dëm në vlerë mbi 20,000 euro./lajmi.net/