Protestat e ditëve të fundit në Tiranë, gjykata liron 13 të arrestuarit

Gjykata e Tiranës ka vendosur lirimin e 13 personave të arrestuar në kuadër të protestave të ditëve të fundit në kryeqytet, duke caktuar masa më të lehta sigurie ndaj tyre. Vendimi është marrë këtë të martë, më 20 tetor, në vijim të shqyrtimit të çështjeve që lidhen me ndalimet pas tubimeve të zhvilluara në Tiranë,…

Lajme

20/10/2026 16:49

Gjykata e Tiranës ka vendosur lirimin e 13 personave të arrestuar në kuadër të protestave të ditëve të fundit në kryeqytet, duke caktuar masa më të lehta sigurie ndaj tyre.

Vendimi është marrë këtë të martë, më 20 tetor, në vijim të shqyrtimit të çështjeve që lidhen me ndalimet pas tubimeve të zhvilluara në Tiranë, të shoqëruara me përplasje mes protestuesve dhe Policisë, si dhe dëmtime të pronës publike e private.

Për 12 prej të hetuarve është caktuar masa e detyrimit për t’u paraqitur në prokurori, ndërsa për njërin prej tyre gjykata ka vendosur edhe ndalimin e afrimit pranë institucioneve publike dhe pjesëmarrjes në tubime, pa autorizimin paraprak të gjykatës.

Prokuroria kishte kërkuar arrest në shtëpi për dy persona, me inicialet G.P. dhe R.H. Megjithatë, gjykata vendosi masa më të lehta: detyrim paraqitjeje për G.P. dhe detyrim paraqitjeje, të shoqëruar me kufizime të posaçme, për R.H.

Të 13 personat dyshohen për kundërshtim të punonjësve të Policisë së rendit publik dhe shkatërrim të pronës. Gjykata ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin e tyre në flagrancë, por ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm, nëse nuk mbahen për ndonjë masë tjetër sigurie apo vendim dënimi.

Vendimi vjen në një moment kur protestat e nisura më 13 tetor kanë vijuar për disa ditë në Tiranë, me pjesëmarrjen e studentëve, gjimnazistëve dhe qytetarëve, të cilët kanë ngritur shqetësime për arsimin, kostot e studimit dhe situatën politike në vend.