Propozimet e shoqërisë civile për Mustafën

Pjesëtarë të shoqërisë civilëve, kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga kryeministri, Isa Mustafës, për mungesë të transparencës në proceset që po i përcjellë.

Lajme

09/02/2016 12:53

Në një konferencë me pjesëtarë të shoqërisë civile, këta të fundit kanë dhënë opinionet e tyre lidhur me zhvillimet.

Analisti, Halil Matoshi ka thënë se Qeveria po tregon mostransparencë, përderisa kauzën e opozitës e ka quajtur false dhe nacionaliste. Ai ka deklaruar se në këtë situatë dikush po tenton ti ikë edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Kryeministri Isa Mustafa mund ta shpëtojë vendin duke bërë një marrëveshje me gjithë spektrin politik”, ka thënë Matoshi.

Ai ka thënë se në një situatë të tillë zgjedhje e presidentit në sallë të improvizuar nuk e qetësojnë vendin.

Ndërsa, kryetari i Bashkësisë së Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Behxhet Shala ka propozuar që takimet me shoqërinë civile të bëhen së bashku mes pozitës e opozitës.

Duke folur për marrëveshjet e kontestuara nga opozita (Demarkacionin dhe Asociacionin), Shala ka thënë se të dyja këto janë problematike.

Ai ka thënë se demarkacioni është problematik dhe se të gjitha shtetet, përveç Shqipërisë kanë synim për t’i marr territor Kosovës

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka dhënë asnjë zgjidhje për Asocacionin dhe vetëm e ka komplikuar këtë gjë. Vendimi i saj ka qenë ‘Uniseks”.

“Kjo gjykatë tash është shndërruar në uzurpatore pasi nuk po e lëshon objektin për Avokatin e Popullit”.

“Opozita po bënë gabim strategjik që po kërkon zgjedhje pasi në këtë situatë i konvenon pushtetit. Disa shtete të rajonit do të kenë zgjedhje pse mos të diskutohet për një mundësi të tillë edhe këtu. Thaçi është ngucakeq nuk është dashur të thotë se Haradinaj ka harruar që në takimin e djeshëm ta përmend Asocacionin dhe Demarkacionin”, ka thënë Shala.