Prokuroria Speciale mirëpret aktgjykimin dënues ndaj serbëve që dhunuan seksualisht një grua në Prishtinë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ka mirëpritur aktgjykimin dënues të shpallur nga Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq të cilët janë dënuar me nga 15 vjet burgim për dhunim seksual gjatë luftës në Kosovë. “Vendimi i sotshëm shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sundimit të ligjit dhe ofrimit…

Lajme

28/07/2025 14:33

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ka mirëpritur aktgjykimin dënues të shpallur nga Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq të cilët janë dënuar me nga 15 vjet burgim për dhunim seksual gjatë luftës në Kosovë.

“Vendimi i sotshëm shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sundimit të ligjit dhe ofrimit të drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, ka thënë Prokuroria Speciale përmes një njoftimi.

Ky institucion ka ftuar të gjithë qytetarët, institucionet publike dhe viktimat e dhunës seksuale të vazhdojnë të denoncojnë këto raste në Prokurori dhe Policinë e Kosovës.

“PSRK, rithekson përkushtimin për të hetuar dhe sjellë para drejtësisë, të gjithë autorët e krimeve të luftës dhe shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut dhe të së drejtës ndërkombëtare”.

Aktgjykimin e parë në mungesë për dhunim seksual gjatë luftës, e ka shpallur kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Rrahman Beqiri.

Si pjesëtarë të forcave policore serbe gjatë luftës në Kosovë, Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq e kanë dhunuar seksualisht një grua në Prishtinë.

E mbijetuara e këtij krimi u dhunua para syve të burrit të saj, i cili ka qenë dëshmitari kryesor i rastit, dhe dëshmia e tij ka qenë kryesore në gjykatë. Viktimën e kanë dhunuar gjashtë persona, por ajo ka arritur t’i identifikojë vetëm dy prej tyre.

Përveç për dhunim seksual, në bazë të dëshmive të dëshmitarëve, të njëjtit kanë kryer edhe krime të tjera te luftës, si maltretime, plaçkitje, tortura, por që nuk janë përfshirë në këtë aktakuzë.

Ky është rasti i katërt që ka përfunduar gjykimi, i raportuar dhe përfaqësuar nga Qendra Kosovare e Rehabilitimin të të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT). Gjykimi është zhvilluar në mungesë, në pamundësi që të njëjtit të arrestohen.

Në gjykatore ishte i pranishëm edhe burri i parë i cili publikisht foli për dhunim seksual, Ramadan Nishori.

Deri më tani janë shpallur tri aktgjykime për dhunim seksual. Zoran Vukotiq është i dënuar me 13 vjet burgim, në rastin tjetër Vukotiq është liruar, dhe rasti Zhivojin Nesiq “Zhika” u dënua me 15 vjet.