Prokuroria Speciale hesht përballë “ofertës” së Kurtit për intervistim
Prokuroria Speciale ka zgjedhur t’i përgjigjet me heshtje propozimit të Kryeministrit që intervistimin në cilësinë e dëshmitarit për një rast që po hetohet ta kryejnë në Zyrën e Kryeministrit. Specialja nuk i është përgjigjur as tri termineve që Kurti i ka ofruar, një të premten dhe dy për këtë javë. TV Dukagjini ka insistuar edhe…
Lajme
Prokuroria Speciale ka zgjedhur t’i përgjigjet me heshtje propozimit të Kryeministrit që intervistimin në cilësinë e dëshmitarit për një rast që po hetohet ta kryejnë në Zyrën e Kryeministrit.
Specialja nuk i është përgjigjur as tri termineve që Kurti i ka ofruar, një të premten dhe dy për këtë javë.
TV Dukagjini ka insistuar edhe që të mësojë nëse Prokuroria Speciale është pajtuar për vendin dhe kohën për intervistim, por edhe të hënën sikurse të premten kanë zgjedhur të heshtin.
Edhe nga Zyra e Kryeministrit nuk kanë lëvizur nga oferta e fundjavës. Zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kyeziu televizionit Dukagjini i ka thënë se nuk ka diçka të re prej përgjigjes së fundit.
Avokati Musa Damati ka aluduar në ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, për të cilin ka thënë se bashkë me një ish-ministër janë intervistuar në Zyrat e tyre të Qeverisë për rastin e 53 milionëshit në autostradën për Shkup.
Por, kryetari i AAK-së, ka mohuar këtë. “Nuk ka informacione për intervista në Zyre të Qeverisë”, i ka thënë Haradinaj televizionit. Ndërkaq në pyetjen shtesë se a e konfirmon se nuk është intervistuar asnjëherë në Zyrën e Kryeministrit për asnjë çështje, as nga Prokuroria e as nga Policia, Haradinaj është përgjigjur me “Po”. Pra e ka mohuar çfarëdo intervistimi.
Mirëpo, TV Dukagjini nga burimet e veta ka mësuar se në Zyrën e Kryeministrit, Haradinaj e kishte dhënë vetëm një deklaratë për Policinë, por në cilësinë e ish-deputetit të pranishëm në kohën kur hidhej gazi lotsjellës nga opozita.
Edhe ministrja e Drejtësisë është shprehur në vijë me Zyrën e Kryeministrit. Ajo ka folur për propozimin e Kurtit, duke insistuar se Prokuroria Speciale me këto veprime ka tendencë për ta minuar punën e Qeverisë dhe për ta dëmtuar Lëvizjen Vetëvendosje.
“Nuk është diçka e pazakontë, nuk është diçka e paligjshme, prandaj nëse Prokuroria Speciale është e interesuar që ta marrë dëshminë e kryeministrit, lirisht mund t’i përgjigjet kërkesës së kabinetit Kurti”, ka thënë Albulena Haxhiu – Ministre e Drejtësisë.