Prokuroria në Prizren ngrit aktakuzë ndaj shtetasit të Shqipërisë për posedim të narkotikëve të llojit kokainë

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit E.H., (shtetas i Republikës së Shqipërisë), i cili gjendet në paraburgim nga data 08.03.2022 për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Lajme

05/04/2022 14:33

“Sipas aktakuzës, me datë 08.03.2022, rreth orës 13:15, në pikën kufitare të Vërmicës, pa autorizim shpërndan, transporton, dërgon substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, në atë mënyrë që kur vjen në pikën kufitare të Vërmicës, me ç’rast ka qenë duke e drejtuar automjetin e markës ‘’Mercedes Benz’’, gjatë kontrollit të automjetit nën ulësen e tij është gjetur një qese plastike e tejdukshme e mbushur me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë prej 736.20 gram, e cila edhe është sekuestruar nga ana e zyrtarëve policorë.”, thuhet në njoftimin për media.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit. /Lajmi.net/