Prokuroria dhe APK fillojnë hetimin për pasurinë e u.d. i Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së
Prokuroria e Shtetit dhe Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit kanë nisur hetim rreth pasurisë së ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Hysen Hundozi, për dyshimet se ka paraqitur deklarim të rrejshëm në APK. Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka njoftuar se ka aktivizuar hetuesit e Policisë së Kosovës që t’i trajtojnë të gjeturat…
Lajme
Prokuroria e Shtetit dhe Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit kanë nisur hetim rreth pasurisë së ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Hysen Hundozi, për dyshimet se ka paraqitur deklarim të rrejshëm në APK.
Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka njoftuar se ka aktivizuar hetuesit e Policisë së Kosovës që t’i trajtojnë të gjeturat e mediumit që zbuluan se u.d. i Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Hysen Hundozi, po merrte të hyra të rregullta edhe nga një biznes privat, të cilat nuk i njoftoi në deklarimin e pasurisë.
“Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për mbledhjen dhe grumbullimin e informatave relevante lidhur me këtë çështje penale. Për më tepër, Prokurori i Shtetit është duke e trajtuar dhe analizuar në detaje çështjen në fjalë“, njoftoi të martën zyra e për media e Prokurorisë së kryeqytetit për Reporteri.net.
Veç fshehjes së pagës, hulumtimi i gazetës Reporteri.net, zbuloi se Hundozi në formularin për deklarimin e pasurisë së tij, të dorëzuar në APK, datën e emërimit e paraqiti dy muaj më vonë se sa ishte emëruar nga Bordi i RTK-së. I njëjti, Anti-korrupsionin se njoftoi as se është drejtor menaxhues në një kompani private ku zotëron 20% të aksioneve, sipas regjistrimit në ARBK. Sipas legjislacionit në fuqi, mbajtja e një pozite menaxhuese në një biznes privat, gjatë ushtrimit të funksionit publik, përbën konflikt interesi.
Pos, Prokurorisë së Shtetit, të martën edhe Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit kanë konfirmuar se janë duke e trajtuar rastin, të cilët pohojnë se deri në momentin e adresimit të pyetjeve nga mediumit, nuk kanë qenë të njoftuar zyrtarisht për dyshimet dhe të gjeturat e hulumtimit të gazetës online Reporteri.net.
“Në përputhje me mandatin dhe kompetencat e saj ligjore, në rast të ekzistimit të një dyshimi të bazuar për konflikt interesi, Agjencia vepron në pajtim me Nenin 22.4 të Ligjit Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, i cili parasheh inicimin e procedurës administrative për vërtetimin e ekzistencës së konfliktit të interesit dhe pasojave përkatëse. Sa i përket deklarimit të pasurisë, Agjencia ushtron kompetencat e saj në përputhje të plotë me Ligjin Nr. 08/L-108 për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave. Në rast se nga analiza rezulton se ekzistojnë elemente që ngrenë dyshime për vonesë në deklarim apo për deklarim të pasaktë, Agjencia ndërmerr procedurat administrative përkatëse, në përputhje me mandatin ligjor“, thuhet në përgjigjen e Agjencisë.
Tutje, APK në përgjigje sqaron se procedurat administrative që kanë të bëjnë me trajtimin e rasteve të konfliktit të interesit, si dhe procedurat për kontrollin dhe verifikimin e deklarimeve të pasurisë, zhvillohen në mënyrë konfidenciale.
“Në këtë kuadër, në përputhje me Ligjin Nr. 06/L-011, Ligjin Nr. 08/L-108 dhe aktet nënligjore përkatëse, Agjencia nuk mund të konfirmojë apo mohojë ekzistencën apo mungesën e ndonjë procedure konkrete, por bën publike vetëm rezultatet përfundimtare të procedurave, pas përfundimit të tyre dhe vetëm në masën e lejuar me ligj. Siç është theksuar edhe më sipër, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit nuk ka pasur më herët informacione zyrtare lidhur me pretendimet për papajtueshmëri në deklarimin e pasurisë apo konflikt interesi në këtë rast“.
Me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, deklarimi i rremë i pasurisë është vepër penale.