“Arrita të konfirmoj që të gjitha informacionet që prezantova sot kanë mund të grumbullohen shumë lehtë pa patur nevojë fare për intervistim. Do të kishte mjaftuar një studim minimal për detyrat dhe përgjegjësitë e zëvendëskryeministrit brenda portfolios së integrimeve evropiane dhe një shfletim i shpejtë i raporteve për vendin ndër vite nga Komisioni Evropian”, ka shkruar Bislimi.
Ai ka thënë se ftesa për intervistim ndaj tij ishte prodhimi i lajmit medial.
“Nisur nga fakti se hyrja e ndërtesës ku u mbajt intervista ishte vërshuar nga portalet, gjë që nuk ndodh më raste të tjera kur ftohen dëshmitarët, dhe nga përvoja e nxjerrjes në media të lajmit për intervistim saktësisht kur po zhvillohej takimi trilateral i dialogut në Bruksel, del i pashmangshëm përfundimi se qëllimi parësor i kësaj interviste ka qenë prodhimi i lajmit medial, ku eksponentë të qeverisë bëhen pjesë e titujve bashkë me termin “skandal”. “Skandal” që origjinën nuk e ka as në Ministri të linjës e as në prokurori, por te eksponentë të medias. Kjo e vendosë prokurorinë në një perspektivë jashtëzakonisht negative karshi përgjegjësive që ka dhe orientimit që ka zgjedhur të ndjekë. Do të ishte me interes të shumëfishtë që kjo qasje të rishikohet”, ka shkruar Bislimi.
Bislimi u ftua në Prokurori për të dëshmuar në lidhje me këtë rasti, pasi që ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci i cili u intervistua pak javë më parë për këtë rast në një intervistë në media implikoi Bislimin për çështjen e funksionalizimit të Fabrikës së Mbetjeve Shtazore.
“Më ka ftua në zyre dy herë për këtë temë edhe bashkë me stafin që merret me vlerësimin e mekanizmave evropian dhe e ka ngritë shqetësimin që nuk mundemi me vazhdu me lanë Kosovën në pikën ku ne vazhdojmë me pas një prej vërejtjeve kryesore, mos funksionalizmin e fabrikës…më ka thirrë për herë të dytë, kam shku bashkë me kryeshefin. Zv/kryeminsitri Besnik Bislimi ka thënë nuk është e rëndësishme sa ka me pasë kosto financiare, e rëndësishme është me i trajtu mbetjet shtazore” – deklaronte ministri Peci më 16.05.2025, siç e citoi “Kallxo”
Më 27 maj të këtij viti, Prokuroria Speciale ka realizuar një aksion tek Ministria e Bujqësisë dhe tri lokacione të tjera.
“Ka filluar një hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim të fabrikës për përpunim e nën-produkteve shtazore. Bastisjet janë duke u zhvilluar në katër lokacione. Me autorizimin tonë, Policia së bashku me ne është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të sigurimit të informacioneve të nevojshme dhe drejt zbardhjes së rastit konkret. Për këtë çështje më detaje nuk mundemi sepse jemi në fazën e grumbullimit të informacioneve. Po bastisen katër lokacione janë në vijim e sipër e për çdo veprim më tepër do t’iu njoftojmë. Ministria e Bujqësisë, Agjencia për Zhvillim Bujqësorë, e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe kompania përfituese”, pati deklaruar prokurori i rastit, Admir Shala pas aksionit.
Pas këtij aksioni, ishte intervistuar si i dyshuar edhe ministri në detyrë, Faton Peci.
Peci pati reaguar pas këtij intervistimi duke falënderuar qytetarët për shqetësimin e tyre dhe kujdesin.
“U jam mirënjohës për shprehjen e shqetësimit, si dhe për solidaritetin e treguar gjatë ditës së djeshme, me rastin e intervistimit tim nga organet e rendit dhe Drejtësisë.” – ka shkruar Peci.
Ai tha se çdo vendim dhe veprim i tij është i qasshëm dhe i dokumentuar.
“Çdo shkronjë, fjalë, si në të shkruar ashtu edhe e thënë, është e qasshme për secilin që ka interesim.” – ka deklaruar Ministri në detyrë.
Peci shtoi se është i bindur që edhe fermerët janë dëshmitarë të rezultateve që, sipas tij, i ka sjellë puna e institucionit që ai udhëheq.
“Jam i bindur që epilogu i këtij procesi do të jetë i njohur për ju, sikurse është i njohur për rreth 30,000 fermerë që përfitojnë në baza vjetore subvencione dhe grante, e që njëherit janë dëshmitarët më të vëmendshëm në çdo cep të Kosovës.” – theksoi ai.
sipas raportimeve të bëra, theksohet se demet që kjo kontratë ia ka shkaktuar buxhetit të Kosovës arrijnë deri në 60 milionë eurosh. Hulumtimi ka treguar skemën e fshehjes së pronarëve të vërtetë të njërës prej kompanive që e ka fituar kontratën në Ministrinë e Bujqësisë.
Sipas këtij hulumtimi, kompania që kishte 30% të aksioneve të kompanisë kosovare, që e ka nënshkruar kontratën me Ministrinë e Bujqësisë figuron e regjistruar në Podgoricë të Malit të Zi.
Hulumtimi në fjalë nga kallxo, ka gjetur se kompania amë e saj është në Beograd, kurse pronar i kësaj kompanie është një shtetas i Serbisë. /Lajmi.net/