Prishtina sjell kulturën në lagje, nis programi veror “n’Lagje” me koncerte live në gjithë kryeqytetin
Kryeqyteti po përgatit një atmosferë verore me muzikë dhe kulturë në lagje të ndryshme të Prishtinës, përmes programit “n’Lagje”, i cili nis më 5 gusht. Nënkryetarja e Kryeqytetit, Besiane Musmurati, ka bërë të ditur se gjatë gjithë muajit gusht qytetarët do të kenë mundësi të ndjekin koncerte me muzikë live, duke e sjellë skenën kulturore…
Lajme
Kryeqyteti po përgatit një atmosferë verore me muzikë dhe kulturë në lagje të ndryshme të Prishtinës, përmes programit “n’Lagje”, i cili nis më 5 gusht.
Nënkryetarja e Kryeqytetit, Besiane Musmurati, ka bërë të ditur se gjatë gjithë muajit gusht qytetarët do të kenë mundësi të ndjekin koncerte me muzikë live, duke e sjellë skenën kulturore më afër komuniteteve.
Programi synon që hapësirat publike të lagjeve të shndërrohen në vende takimi, ku muzika, kultura dhe atmosfera verore bashkohen për qytetarët e Prishtinës.
Koncertet do të mbahen në lagjet Dardani, Muharrem Fejza, Muhaxherë, Ulpianë, Hajvali, Kolovicë, Breg të Diellit, Kodra e Trimave, Matiqan dhe Kalabri, duke filluar çdo mbrëmje nga ora 20:00.
Në kuadër të programit do të performojnë artistët Nita Latifi, Offchestra, Florent Abrashi dhe String String.
Koncerti i parë do të mbahet më 5 gusht në lagjen Dardani, në hapësirën Mbi Kurriz, duke filluar nga ora 20:00.
Musmurati ka thënë se qëllimi i këtij programi është që kultura të mos mbetet vetëm në qendër të qytetit, por të jetë e pranishme edhe në lagjet ku jetojnë qytetarët.
Programi “n’Lagje” organizohet nga Drejtoria e Kulturës e Kryeqytetit dhe është pjesë e aktiviteteve verore që synojnë aktivizimin e hapësirave publike dhe pasurimin e jetës kulturore në Prishtinë. /Lajmi.net/