Kandiq: Në Serbi nuk ka vullnet politik për hapjen e arkivave shtetërore
Për zbulimin e dy varrezave në afërsi të Zubin Potokut ka folur edhe Natasha Kandiq, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd. Ajo ka sqaruar se në bazë të informatave që posedon, me 19 prill të vitit 1999, kanë qenë dy grupe të ndara të shqiptarëve të cilët dyshohet që më pasë janë…
Lajme
Për zbulimin e dy varrezave në afërsi të Zubin Potokut ka folur edhe Natasha Kandiq, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd.
Ajo ka sqaruar se në bazë të informatave që posedon, me 19 prill të vitit 1999, kanë qenë dy grupe të ndara të shqiptarëve të cilët dyshohet që më pasë janë zënë dhe vrarë nga forcat policore e ushtarake serbe.
Kandiq ka deklaruar se në Serbi nuk ka vullnet politik për hapjen e arkivave shtetërore, prandaj sipas saj, duhet një përfshirje dhe presion më i madh ndërkombëtar për të ofruar informacione, për t`i hapur arkivat dhe për të mundësuar qasje në dokumentet policore dhe ushtarake të periudhës së luftës.
“Ato dokumente që janë të ruajtura veçanërisht ose të i quaj në arkiva. Por nuk ka dëshirë politike. Pse nuk ka vullnet politik? Natyrisht se nuk ka vullnet politik në Serbi, sepse në pushtet është partia dhe koalicioni që në fakt ka marrë pjesë në të gjitha për sa i përket luftës, duke filluar nga mbështetja për politikën e luftës, pastrimin etnik… Ne edhe sot kemi këtë situatë që publikisht mund të dëgjojmë që ata që kanë pozita të larta shtetërore në Serbi të thonë se është dëm sepse Milosheviçi nuk ka kryer pastrimin etnik”, ka deklaruar Kandiq për RTK-në.