​Prishtina mposht Llapin në Fadil Vokrri

Futbollistët e Prishtinës kanë vazhduar serinë e fitoreve në edicionin e ri të Superligës së Kosovës duke mposhtur Llapin me rezultatin 3:0. Mario Ilievski në minutën e 36-të dhe Rin Ahmeti në minutën e 58-të nga penalltia dhe Valmir Veliu po ashtu nga penalltia, pas shikimit të VAR-it, në minutën e dhjetë të kohë shtesë, shënuan golat…

Sport

24/08/2025 23:04

Futbollistët e Prishtinës kanë vazhduar serinë e fitoreve në edicionin e ri të Superligës së Kosovës duke mposhtur Llapin me rezultatin 3:0.

Mario Ilievski në minutën e 36-të dhe Rin Ahmeti në minutën e 58-të nga penalltia dhe Valmir Veliu po ashtu nga penalltia, pas shikimit të VAR-it, në minutën e dhjetë të kohë shtesë, shënuan golat vendimtarë për fitoren e dytë të ekipit nga kryeqyteti.

Ndeshja u zhvillua në një atmosferë sportive në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Ekipi nga kryeqyteti përforcon vendin e parë me gjashtë pikë pas dy xhirove. Ferizaj renditet i dyti po ashtu me gjashtë pikë, por me gol diferencë më të dobët.

Llapi renditet në pozitën e tetë me vetëm një pikë, po aq sa ka edhe Malisheva e parafundit dhe në pozitën e fundit renditet Drita pa pikë, por me një ndeshje më pak të zhvilluar, raporton KosovaPress.

Kujtojmë, gjatë ditës Ferizaj dhe Dukagjini realizuan fitore, derisa Ballkani u ndal në barazim nga Malisheva. Në “Sami Kelmendi” në Lipjan, Ferizaj mposhti Prishtinën e Re me rezultat 1:0, me autogolin e Elvis Prençi, në minutën e 63-të.

Dukagjini mposhti Gjilanin në “18 Qershori” në Klinë me rezultat 2:0, me golat e Mërgim Pefqelit në minutën e 34-të dhe Iljas Zulfiu në minutën e parë të kohës shtesë.

Ballkani barazoi si vendës kundër Malishevës me rezultat 1:1. Skuadra mysafire kaloi në epërsi në minutën e 11-të me golin e Altin Aliut, ndërsa Ballkani barazoi përmes Giovanni në minutën e 62-të.

Ndeshja ndërmjet Dritës dhe Drenicës është shtyrë për shkak të pjesëmarrjes së ekipit gjilanas në garat evropiane.