Prishtina momentalisht, 11 kopshte fëmijësh punojnë pa licencë
Në një hulumtim të thjeshtë nëpër rrjetet sociale, rezulton se në Prishtinë punojnë rreth 40 kopshte fëmijësh që nuk janë të licencuara.

Lajme
Në kryeqytet janë të licencuara 29 kopshte private, por në një hulumtim i thjeshtë nëpër rrjetet sociale tregon se në Prishtinë veprojnë 40 të tilla.
Zyrtarë të Inspektoratit të Ministrisë së Arsimit nuk pranojnë të flasin nëse inspektohen këto kopshte, kurse ata të licencimit për arsimin privat thonë se gjatë vitit të kaluar 9 kërkesa për licencim janë refuzuar.
“Ne i kemi refuzuar nëntë kërkesa për licencim për shkak të mos përmbushjes së kritereve, kemi edhe shumë të tjera që presin për licencim dhe do t’i shqyrtojmë, po ashtu presim investim të mëtutjeshëm për arsimin parafillor”.
Nga inspektimet e vitit të kaluar të Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit, vërejtjet kryesore për kopshtet private kanë qenë mbingarkesa me numrin e fëmijëve, mungesa e hapësirës dhe objektet joadekuate.
Lamir Thaçi nga AVUK, thtë se kanë kërkuar nga kopshtet private që ta ristrukturojnë ambientin brenda, sepse ato janë të improvizuara për kopshte, dhe të gjithë fëmijët duhet të jenë të pajisur me libreza që dëshmojnë se kanë kryer kontroll mjekësore, si dhe stafi i kopshteve duhet të jetë i kualifikuar.
Disa nga kriteret e udhëzimit administrativ të Ministrisë së Arsimit për licencimin e kopshteve private janë: për një fëmijë duhet të ketë 2 metra katrorë, një banjo duhet ta shfrytëzojnë vetëm 10 fëmijë, gjendja shëndetësore e fëmijëve duhet të jetë e konfirmuar me raport mjekësor, edhe personeli duhet t’i nënshtrohet ekzaminimeve shëndetësore çdo dy vjet, licencimi i kopshteve private duhet të përsëritet çdo vit. (Gazeta Express)