Presion në Prishtinë

Vetëvendosje thotë se është penguar ta mbajë një takim me qytetarë, në Shkollën “Mitrush Kuteli”, në Lagjen Mat. Këtë e konsideron si presion partiak të zyrtarëve të LDK'së.

Lajme

22/11/2013 22:00

Lëvizja Vetëvendosje thotë të jetë penguar për ta mbajtur një takim me qytetarët e Lagjes Mati, në Shkollën Fillore “Mitrush Kuteli”, të cilin e kishte paraparë për të premten në orën 18:00.

VV, në një komunikatë për media, ka akuzuar Drejtorin e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, Halim Halimi, për moslejimin e mbajtjes së këtij takim.

“Përkundër marrjes së lejes nga Drejtoria e Shkollës, leje kjo e aprovuar edhe nga KKZ në Prishtinë, gjatë ditës së sotme, Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, Halim Halimi, i ka bërë presion të drejtpërdrejtë Drejtorit të Shkollës ‘Mitrush Kuteli’ që mos ta hapë objektin për aktivitetin tonë.”

“Me gjithë presionin dhe sabotazhin që pushteti komunal në ikje po mundohet ta bëjë, nëpërmjet zyrtarëve të saj e duke shfrytëzuar padrejtësisht organet komunale, Lëvizja Vetëvendosje nuk zmbrapset. Takimi me qytetarë u mbajt para objektit shkollor.”

“Lëvizja Vetëvendosje reagon ashpër ndaj këtij presioni partiak nga zyrtarë të LDK’së, që tregon hapur shantazhin dhe mënyrën e qeverisjes së kësaj partie në Komunën e Prishtinës.”, thuhet në komunikatën për media të VV’së.

Shpend Ahmeti ka postuar në llogarinë e tij në Facebook foton e takimit të mbajtur në oborrin e shkollës.

“Në takim me qytetarët e Lagjes Mati, jashtë oborrit të shkollës, pasi që Drejtoria Komunale na ka mbyllur hapësirën publike, edhe pse kemi mbajtur takime të tilla gjatë gjithë vitit. Në këtë shkollë hiç më larg se para një muaji. Megjithatë, nuk mund të na ndalin bisedat me qytetarë. Ndryshimi po vjen me 1 dhjetor”, ka shkruar ai.