Presidentja shkon në New York, konsultimet për Kuvend shtyhen

Presidentja Atifete Jahjaga sot vetëm i dëgjoi krerët e partive politike parlamentare lidhur me këndvështrimet e tyre lidhur me konstituimin e organeve të Kuvendit të Kosovës. Pas kësaj do të ishte rendi të pritej që kreu i shtetit të fillojë konsultimet me ato parti për zgjidhjen e këtij ngërçi. Mirëpo, Jahjaga nuk do t’i fillojë konsultimet së shpejti pasi ajo udhëton për në New York. 

Lajme

18/09/2014 22:43

Presidentja Jahjaga udhëton për në Amerikë për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së përgjithshme vjetore të OKB-së, ku do të tubohen krerët e të gjitha shteteve anëtare të organizatës botërore. Presidentja atje pritet të qëndrojë të paktën një javë e deri në 10 ditë. Megjithëse dikujt kjo mund t’i duket jo fort serioze, kjo është një ngjarje e rëndësishme edhe për Kosovën. Jo thjesht për prezencën e saj në selinë e organizatës botërore, por edhe për realizimin e kontakteve me burrështetas anembanë tërë botës dhe për marrjen e përkrahjes edhe për njohje ndërkombëtare.

Në këtë ngjarje do të jetë i pranishëm dhe sigurisht shumë aktiv edhe presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, i cili atje do të takohet me të paktën 30 burrështetas të huaj, shkruan lajmi.net. Andaj, shikuar edhe nga ky kënd, prania dhe kontaktet e Jahjagës në Nee York janë mjaft të rëndësishme.        

Shkuarja e presidentes Jahjaga në SHBA do të thotë që ajo nuk do të mund t’i fillojë as konsultimet me partitë politike lidhur me zgjidhjen e ngërçit të krijuar në vend, shkaku i mos konstituimit të organeve të tij (kryeparlamentarit, anëtarëve të Kryesisë dhe organeve tjera të domosdoshme për funksionimin e legjislativit).

Vetëm pas kthimit të Jahjagës në vend mund të fillojnë konsultimet, të cilat edhe ashtu nuk dihet se a do të sjellin fryt, bazuar në barrikadimet tashmë të njohura të dy blloqeve politike. 

Udha më e shpejtë dhe më e sigurt për zgjidhjen e kësaj situate mbetet marrëveshja direkte ndërmjet dy blloqeve. Derisa koalicioni i PDK-së edhe sot u shpreh se është i gatshëm të ulet dhe të bisedojë me bllokun VLAN, këta të fundit, bazuar në deklarata e dhënë gjatë tërë kohës prej 9 qershorit e tutje, duket se nuk janë të vullnetshëm për zgjidhjen e ngërçit institucional.

Megjithëkëtë, duhet shpresuar që ky refuzim kaq kokëfortë për t’u ulur dhe biseduar me PDK-në për gjetjen e zgjidhjes do të kalojë dhe votuesit kosovarë të mos detyrohen sërish t’iu drejtohen kutive të votimit.