Presidentja do ta emërojë mandatarin, sipas Kushtetutës
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga do të veproj në bazë të Kushtetutës, sa i përket emërimit të mandatarit të Qeverisë së re të Kosovës.
Lajme
Kështu ka thënë për “Kosova Sot”, këshilltari i presidentes, Arbër Vllahiu i cili ka thënë se presidenca po pret certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja për të proceduar më tutje.
“Presim certifikimin zyrtar të rezultateve të zgjedhjeve. Presidentja do të veprojë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.
Në anën tjetër, njohësi i çështjeve kushtetuese, Riza Smaka mendon se presidentja bën mirë që të bëjë disa konsultime paraprakisht. Ai mandje thotë se ndoshta presidentes nuk do i duhet fare mendimi i Kushtetueses për të mandatuar njërin prej kandidatëve për kryeministër, qoftë nga koalicioni parazgjedhor apo ai paszgjedhor i opozitës.
“Në situatën e krijuar opinionet e përfaqësuesve të shteteve të Quintit, referuar dy koalicioneve, koalicionit parazgjedhor e paszgjedhor, në garë për formimin e Qeverinë, konsideroj se do të ishte veprim i matur, diskret dhe i moderuar. Ndoshta opinioni i Gjykatës Kushtetuese nuk do të nevojitet, pasi që dispozita e nenit 95, paragrafi 1 i Kushtetutës është i qartë dhe i aplikueshëm pa vështirësi”.
E Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se presidentja e vendit e ka obligim kushtetues që të emëroj atë mandatar që i ka votat e mjaftueshme për të krijuar qeverinë.
“Meqenëse përcaktimi kushtetues është kështu, unë besoj se presidentja duhet të qëndrojë pasive në këtë raport dhe koalicioni i cili i garanton votat e nevojshme për të ndërtuar një qeveri, është koalicioni të cilin presidentja në fakt detyrohet t’ia marrë emrin për ta emëruar mandatarin në qeveri. Kështu unë besoj se kjo çështje duhet interpretuar dhe kështu është logjika në të cilën është shkruar norma jurtike në Kushtetutë”, ka thënë Korencia, shkruan “Kosova Sot”.