Premtoi 50 milionë euro, biznesmeni Gjonbalaj i VV-së zhduket edhe pas thirrjes së Kurtit për ndihmë

Kosova po përballet me vështirësi të shumta sociale pas stopimit të ekonomisë nga masat e ndërmarra nga qeveria për parandalimin e koronavirusit. Pak ditë më parë, për t’i dalë në ndihmë shtetit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti kërkoi edhe ndihmën e mërgimtarëve, duke hapur kështu një llogari shtetërore ku do të derdhen të hyrat.

Lajme

18/04/2020 21:04

Kryeministri Kurti nuk dihet nëse në këtë thirrje që pati për kosovarët që jetojnë jashtë shtetit, e përfshiu edhe biznesmenin që jeton e vepron në Amerikë, Gazmend Gjonbalaj, shkruan lajmi.net.

Gjonbalaj para zgjedhjeve në Kosovë, kishte dalur me një zotim të fortë duke thënë se nëse Albin Kurti bëhet kryeministër, ai në Kosovë do t’i investojë 50 milionë euro.

Por ky mbeti vetëm premtim, e shuma e premtuar mbeti veç fjalë. Gjonbalaj pas zgjedhjeve, e edhe pas formimit të qeverisë ku Kurti u bë kryeministër, nuk e tha asnjë fjalë për 50 milionët e premtuara. Gjonbala tani po heshtë edhe kur i preferuari i tij për kryeministër, Albin Kurti, kërkoi ndihmë nga diaspora.

Gjonbala me premtimin e tij e kishte bindur edhe vet tanimë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, i cili më 30 shtator, një javë para mbajtjes së zgjedhjeve e kishte postuar në llogarinë e tij videon ku Gjonbala e premton investimin e lartëpërmendur, postim ky që është ende publik.

Sidoqoftë, për premtimet e Gjonbalës që nga mbajtja e zgjedhjeve kishin reaguar në humor edhe shumë figura publike në Kosovë, kryesisht analistë të çështjeve politike, të cilët kishin kërkuar nga ai, ta realizojë premtimin e vet për investimin në Kosovë.

Gjonbala nuk iu është përgjigjur asnjëherë këtyre thirrjeve, ani pse ai është aktiv në rrjetin social, Facebook, ku kryesisht shpërndanë materiale të cilët lidhen me Vetëvendosjen. /Lajmi.net/