Pozitat komanduese nga SHBA te europianët, Vela thotë se kjo prek Kosovën: Kredibiliteti i KFOR do të varet më pak nga Washingtoni

Shtetet e Bashkuara do t’ua dorëzojnë dy nga postet kryesore të komandës së NATO-s – në Napoli të Italisë dhe Norfolk të Virxhinias – oficerëve europianë, tha një burim ushtarak për Reuters të hënën. Ky veprim është në përputhje me kërkesat e Presidentit të SHBA-së Donald Trump që kombet europiane të marrin më shumë përgjegjësi…

Lajme

10/02/2026 16:59

Shtetet e Bashkuara do t’ua dorëzojnë dy nga postet kryesore të komandës së NATO-s – në Napoli të Italisë dhe Norfolk të Virxhinias – oficerëve europianë, tha një burim ushtarak për Reuters të hënën.

Ky veprim është në përputhje me kërkesat e Presidentit të SHBA-së Donald Trump që kombet europiane të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre. Administrata e tij ka bërë thirrje që aleanca ushtarake, e dominuar prej kohësh nga Shtetet e Bashkuara, të bëhet një “NATO e udhëhequr nga Europa”.

Këtë zhvillim e ka komentuar ish-shefi i stafit të Presidentes, Blerim Vela, i cili tha se kjo ngjarje ka rëndësi edhe për misionin e NATO’s në Kosovë.

“SHBA po ua dorëzon komandat kyçe të NATO-s në Napoli dhe Norfolk europianëve, në përputhje me shtytjen e Presidentit Trump për një NATO më të udhëhequr nga Europa. Kjo ka rëndësi për Kosovën, pasi do të thotë se besueshmëria e KFOR do të varet më pak nga Uashingtoni dhe më shumë nga vendosmëria e Europës për të frenuar dhe parandaluar kërcënimet”, tha ai.