Policia sekuestron armë zjarri gjatë një ahengu familjar në Rahovec

Dy armë zjarri janë sekuestruar nga Policia e Kosovës gjatë një intervenimi në një dasmë familjare në fshatin Bellacerkë të Rahovecit. Rasti ka ndodhur rreth orës 00:20 të mëngjesit të së enjtes, gjatë patrullimit të rregullt nga njësiti patrullues i Stacionit Policor në Rahovec, njofton Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun e Drejtorisë Rajonale…

Lajme

01/08/2025 12:47

Dy armë zjarri janë sekuestruar nga Policia e Kosovës gjatë një intervenimi në një dasmë familjare në fshatin Bellacerkë të Rahovecit.

Rasti ka ndodhur rreth orës 00:20 të mëngjesit të së enjtes, gjatë patrullimit të rregullt nga njësiti patrullues i Stacionit Policor në Rahovec, njofton Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, transmeton lajmi.net

Policia ka dëgjuar të shtëna me armë zjarri që dyshohej se vinin nga një shtëpi ku po zhvillohej një aheng familjar. Pas ndërhyrjes në vendin e ngjarjes, janë identifikuar dy persona të dyshuar, shtetas kosovarë të moshës madhore, ndaj të cilëve janë ndërmarrë veprime ligjore.

Gjatë kontrollit, janë sekuestruar dy armë zjarri – pistoleta për sinjalizim me zë – secila me nga një karikator, si dhe tri gëzhoja të gjetura në vendin e ngjarjes. Dyshohet se këto armë janë përdorur gjatë festës.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar që procedura të vazhdojë në rrugë të rregullt ligjore.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka apeluar edhe një herë tek qytetarët që të përmbahen nga përdorimi i armëve gjatë ahengjeve familjare apo festimeve të ndryshme, duke theksuar se një veprim i tillë përbën rrezik serioz për jetën dhe sigurinë publike dhe është i dënueshëm me ligj.

Policia e Kosovës ka njoftuar se do të vazhdojë me masa parandaluese dhe ndërhyrje të menjëhershme në çdo rast që cenon rendin dhe sigurinë publike./lajmi.net/