Policia për protestën e sotme: Deri tani nuk ka lëndime serioze por janë shkaktuar dëme materiale

Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me protestën e sotme. Ata kanë thënë se protesta po vazhdon edhe në orët e mbrëmjes ndërsa Policia ka vazhduar me ndërmarrjen e masave të nevjshme policore për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit e qetësisë publike, mbarëvajtjen e protestës si dhe ruajtjen e jetës dhe pronës publike.…

Lajme

05/10/2026 20:32

Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me protestën e sotme.

Ata kanë thënë se protesta po vazhdon edhe në orët e mbrëmjes ndërsa Policia ka vazhduar me ndërmarrjen e masave të nevjshme policore për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit e qetësisë publike, mbarëvajtjen e protestës si dhe ruajtjen e jetës dhe pronës publike.

“Përderisa protesta vazhdonte të mbahej pranë objekteve shtetërore, një grup i caktuar i personave në protestë, në shenjë pakënaqësie për mos votimin e ligjit për Specialen, në vazhdimësi kanë hedhur gjësende të ndryshme, mjete piroteknike e fishekzjarre drejt objekteve shtetërore, për të pamundësuar daljen e personaliteteve/deputetëve  nga Kuvendi i RKS-së, ku disa prej tyre  edhe i kanë detyruar të kthehen sërish brenda në Kuvend”, ka thënë Policia.

Ata kanë thënë se kanë kërkuar në vazhdimësi nga pjesëmarrësit që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos dëmtojnë pronën publike, të mos pengojnë lirinë e lëvizjes së lirë, e të mos bien ndesh me ligjin.

“Referuar zhvillimeve dhe situatës së krijuar nga hedhjet e vazhdueshme të gjësendeve të ndryshme, mjeteve piroteknike e fishekzjarreve, moslejimit të lëvizjes së lirë, zyrtarët policorë janë detyruar të ndërmarrin masat e nevojshme dhe të domosdoshme, për parandalimin e dëmtimit të objekteve shtetërore dhe krijimit të mundësive për lëvizje e qarkullim të lirë të qytetarëve e personaliteteve shtetërore. Edhe përkundër kërkesave e thirrjeve të vazhdueshme nga Policia, për respektim të ligjit,  për protestim në mënyrë të qetë, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin mjetet e ligjshme policore, gazin lotësjellës, për të mundësuar daljen e përsonaliteteve nga Kuvendi dhe për të vënë situatën nën kontroll”, ka njoftuar Policia.

Ata kanë thënë se janë shkaktuar dëme materiale, po nuk raportohet për ndonjë lëndim serioz të personave.

“Policia e Kosovës, e rithekson se njeh të drejtë e qytetarëve për protestim dhe shprehje të pakënaqësive në mënyrë të qetë dhe demokratike dhe vazhdon të apeloj te të gjithë pjesëmarrësit të protestojnë të qetë,  të mos dëmtojnë pronën publike dhe të respektojnë ligjet. Përderisa protesta vazhdon, zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, siguria e qytetarëve dhe objekteve shtetërore si dhe mbarëvajtja e protestës vazhdojnë të jenë prioritet i Policisë së Kosovës”, thuhet më tej në Komunikatë. /Lajmi.net/