Policia me plan të veçantë për Sunny Hill 2026, paralajmëron bllokime rrugësh dhe masa të shtuara sigurie
Policia e Kosovës ka hartuar planin operativ për garantimin e sigurisë gjatë festivalit Sunny Hill 2026, i cili do të mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht në fshatin Bërnicë të Prishtinës. Sipas njoftimit, një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve policorë do të angazhohen në terren për të menaxhuar sigurinë, rendin publik dhe qarkullimin…
Lajme
Policia e Kosovës ka hartuar planin operativ për garantimin e sigurisë gjatë festivalit Sunny Hill 2026, i cili do të mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
Sipas njoftimit, një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve policorë do të angazhohen në terren për të menaxhuar sigurinë, rendin publik dhe qarkullimin e trafikut gjatë tri ditëve të festivalit, transmeton lajmi.net.
Policia ka bërë të ditur se masat do të përfshijnë patrullime të shtuara, sigurimin e perimetrit të festivalit, monitorimin e rendit publik, identifikimin dhe trajtimin e çdo shkeljeje ligjore, si dhe koordinimin me Prokurorinë e Shtetit në rast nevoje.
Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe trafikut, pasi pritet një fluks i madh i automjeteve dhe vizitorëve. Për këtë arsye, autoritetet kanë paralajmëruar bllokime të plota ose të pjesshme të rrugëve që çojnë drejt zonës së festivalit, si dhe ridrejtim të qarkullimit në varësi të situatës në terren.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë mirëkuptim për kufizimet e përkohshme në trafik dhe të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë.
Njëkohësisht, pjesëmarrësit janë inkurajuar të përdorin transportin e organizuar nga organizatorët e festivalit nga Prishtina drejt Bërnicës dhe anasjelltas. Sipas Policisë, kjo do të lehtësojë qasjen në festival, pasi në zonën ku zhvillohet ngjarja do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet e autorizuara dhe ato me leje parkimi.
Policia ka bërë të ditur se, në varësi të zhvillimeve në terren, mund të ndërmerren masa shtesë për menaxhimin e trafikut dhe orientimin e pjesëmarrësve, duke theksuar se të gjitha veprimet synojnë zhvillimin e festivalit në kushte të sigurta dhe me rend publik të garantuar.
Njoftimi i plotë:
Policia e Kosovës, sikurse viteve të kaluara edhe këtë vit, ka hartuar urdhrin operativ “Festivali Sunny Hill-2026”, përmes të cilit janë paraparë të gjithë masat e nevojshme në aspektin e sigurisë, për mbarëvajtjen e festivalit i cili do të mbahet nga data 31.07.2026 deri më 02.08.2025, në fshatin Bërnicë të komunës së Prishtinës.
Referuar praktikave, numrit të pjesëmarrësve dhe rrethanave që e karakterizojnë festivalin, policia ka paraparë një numër të konsiderueshëm të zyrtarëve policorë, duke i angazhuar me detyra specifike në zonën ku do të mbahet festivali, shtuar këtu edhe zyrtarët e tjerë të angazhuar me detyra të përgjithshme në gjithë rajonin e përgjegjësisë.
Policia e Kosovës, bazuar në autorizimet dhe kompetencat policore, angazhimet e saja policore do t’i shtrijë në disa nivele, përfshirë:
– Parapërgatitjen dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme planifikuese, koordinuese, preventive dhe operative policore në terren, në mënyrë që festivali të zhvillohet në suaza normale të rendit dhe qetësisë publike;
– Shtimin e masave preventive dhe operative-policore për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike para, gjatë dhe pas festivalit;
– Sigurimin dhe menaxhimin e hapësirës në aspektin e sigurisë ku do të zhvillohet festivali;
– Rregullimin dhe kontrollin e trafikut rrugor përreth zonës së festivalit, përfshirë ndalesa të përkohshme, bllokime ose riorientime të rrugëve, varësisht nga nevoja;
– Monitorimin e rendit publik për të parandaluar çdo sjellje asociale, të paligjshme apo të dëmshme për sigurinë kolektive;
– Identifikimin dhe ndërmarrjen e masave adekuate ligjore me Prokurorinë e Shtetit ndaj të gjithë personave të cilët bien ndesh me ligjin;
– Praninë e shtuar të patrullave në zonat përreth, për të rritur ndjesinë e sigurisë për qytetarët dhe vizitorët;
– Ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore operative dhe hetimore, sipas ligjit dhe në varësi të situatës apo kërkesave që mund të paraqiten gjatë operacionit;
Duke pasur parasysh, fluksin e madh të automjeteve dhe personave që pritet të frekuentojnë festivalin, do të ketë bllokime të plota apo të pjesshme të rrugëve që qojnë për në zonën ku mbahet festivali si dhe ri-drejtim të trafikut rrugor, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim nga pjesëmarrësit në trafik.
Për qytetarët të cilët planifikojnë pjesëmarrjen në festival, nga organizatoret është paraparë dhe rregulluar udhëtimi me mjete transportuese nga kryeqyteti drejt festivalit dhe anasjelltas, andaj luten qytetarët që të shfrytëzojnë udhëtimin në këtë formë, pasi qasja në zonën e festivalit do të jetë më e lehtë dhe do të lejohen për qarkullim vetëm mjetet e autorizuara dhe personat me leje parkimi.
Varësisht nga rrjedha e situatës në terren mund të paraqiten rrethana që kërkojnë veprime të tjera policore në funksion të ri drejtimit të trafikut apo orientimit të pjesëmarrësve, porse në të gjitha rastet qytetarët do të instruktohen nga policët në pikat e caktuara.
Masat dhe angazhimet e parapara janë në funksion të sigurisë publike dhe mirëqenies së qytetarëve, andaj ftojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë dhe të respektojnë udhëzimet, në mënyrë që festivali të zhvillohet në një atmosferë të qetë dhe të sigurt./lajmi.net/