Policia godet disa raste të armëmbajtjes pa leje, konfiskohen armë e municion
Raste të shumta të armëmbajtjes pa leje janë evidentuar gjatë 10 shtatorit në disa rajone të Kosovës, sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës. Në raste të ndryshme në Prishtinë, Shtime, Suharekë, Pejë dhe Gjakovë, policia ka konfiskuar armë zjarri, pistoleta, pushkë, municion dhe mjete të tjera të dyshuara si të rrezikshme. Në disa prej…
Lajme
Raste të shumta të armëmbajtjes pa leje janë evidentuar gjatë 10 shtatorit në disa rajone të Kosovës, sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës.
Në raste të ndryshme në Prishtinë, Shtime, Suharekë, Pejë dhe Gjakovë, policia ka konfiskuar armë zjarri, pistoleta, pushkë, municion dhe mjete të tjera të dyshuara si të rrezikshme. Në disa prej rasteve, të dyshuarit janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit, ndërsa në raste të tjera janë liruar në procedurë të rregullt, transmeton lajmi.net.
Në Prishtinë janë raportuar disa raste të tilla. Në rrugën “Muharrem Fejza”, pas disa të shtënave me armë zjarri, policia ka gjetur dhe konfiskuar dy gëzhoja, ndërsa nga një i dyshuar është konfiskuar një pistoletë. Si pasojë e një përleshjeje fizike, një person ka pësuar lëndime trupore. I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Një tjetër rast është raportuar në rrugën “Qazim Pllana”, ku një person dyshohet se ka shtënë me armë nga një motoçikletë në lëvizje dhe më pas është larguar në drejtim të panjohur. Në vendngjarje janë gjetur katër gëzhoja.
Po ashtu, në rrugën “Tirana”, gjatë kontrollit të një automjeti, policia ka gjetur një pistoletë me 15 fishekë. I dyshuari kishte leje për përdorimin e armës në poligon, por jo për bartje. Pas intervistimit, ai është liruar në procedurë të rregullt.
Rastet e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar edhe në Shtime, Suharekë dhe Gjakovë. Në Gjakovë, në një rast të dhunës në familje, gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur një armë automatike AK-47 me tre karikatorë, një pistoletë, 45 fishekë dhe një boks hekuri. I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Ndërsa në Rahovec, pas një kanosjeje, janë kontrolluar dy shtëpi ku janë gjetur një pushkë gjuetie dhe 23 fishekë. Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Raportet e Policisë për armëmbajtje pa leje:
Prishtinë – Rr. “Muharrem Fejza”, 10.09.2026, ora 11:00:
Pas disa të shtënave me armë zjarri, në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar dy gëzhoja, ndërsa nga i dyshuari mashkull kosovar është konfiskuar arma/pistoletë. Si pasojë e përleshjes fizike me të dyshuarin, lëndime trupore ka pësuar viktima mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Prishtinë – Rr. “Qazim Pllana”, 10.09.2026, ora 22:00:
Është raportuar se një i dyshuar mashkull, nga një motoçikletë në lëvizje, ka shtënë me armë zjarri në ajër dhe është larguar në drejtim të panjohur. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar katër gëzhoja. Rasti është duke u hetuar.
Prishtinë – Rr. “Tirana”, 10.09.2026, ora 21:10:
Gjatë kontrollit në automjetin e të dyshuarit mashkull kosovar është gjetur dhe konfiskuar një armë pistoletë me 15 copë fishekë, për të cilën i dyshuari posedonte leje për përdorim në poligon dhe jo për bartje. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar.
Prishtinë – 10.09.2026, ora 13:00–17:00:
Pas një informate të pranuar, janë kontrolluar tri lokacione të ndryshme, prona të tre të dyshuarve meshkuj kosovarë. Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri, një sasi municioni të kalibrave të ndryshëm dhe një sasi e substancës së dyshuar narkotike. Me vendim të prokurorit janë arrestuar dy të dyshuar dhe janë dërguar në mbajtje.
Shtime – Rr. “De Rada”, 10.09.2026:
Pas disa të shtënave me armë zjarri gjatë një ahengu familjar, nga i dyshuari mashkull kosovar është konfiskuar një armë-pistoletë. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Suharekë – Rr. “Skënderbeu”, 10.09.2026, ora 01:10:
Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi gjatë kontrollit tek i njëjti janë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja që dyshohet se janë të armës me gaz, dy predha të pistoletës dhe një boks hekuri. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Pejë – Rr. “Adem Jashari”, 10.09.2026, ora 13:03:
Është raportuar se e dyshuara femër kosovare është larguar nga shtëpia nën posedim të një mjeti të mprehtë/thikë. E dyshuara është ndaluar dhe nga ajo është konfiskuar mjeti. Me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Gjakovë – Rr. “Normalja e Gjakovës”, 08.09.2026, ora 17:50:
Më 10.09.2026 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se kishte sulmuar fizikisht një viktimë mashkull kosovar, i cili kishte pranuar tretman mjekësor. Nga i dyshuari është konfiskuar një boks hekuri si dëshmi që lidhet me rastin. Me vendim të prokurorit, i njëjti është dërguar në mbajtje.
Gjakovë – 10.09.2026, ora 18:40:
Është raportuar rast i dhunës në familje dhe armëmbajtjes pa leje. Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit mashkull kosovar janë gjetur dhe konfiskuar një armë automatike AK-47 me tre karikatorë, një pistoletë, 45 copë fishekë dhe një boks hekuri. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Rahovec – 10.09.2026, ora 14:00:
Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë nën dyshimin se pas një mosmarrëveshjeje kanë kanosur dy viktima meshkuj kosovarë. Me vendim të prokurorit janë kontrolluar dy shtëpi, ku janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjuetie dhe 23 fishekë. Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje./lajmi.net/