Policia e Kosovës paralajmëron për e-maile të rreme: Dokumentet janë të falsifikuara, jo nga PK
Policia e Kosovës ka dalë me një njoftim zyrtar, duke alarmuar publikun për qarkullimin e e-maileve të rreme që po shpërndahen në adresa të ndryshme elektronike në vend. Këto e-maile, të paraqitura sikur të jenë lëshuar nga zyrtarë të lartë të PK-së dhe institucione të tjera vendore e ndërkombëtare, po paraqiten me titullin “Thirrje Gjyqësore”…
Lajme
Policia e Kosovës ka dalë me një njoftim zyrtar, duke alarmuar publikun për qarkullimin e e-maileve të rreme që po shpërndahen në adresa të ndryshme elektronike në vend.
Këto e-maile, të paraqitura sikur të jenë lëshuar nga zyrtarë të lartë të PK-së dhe institucione të tjera vendore e ndërkombëtare, po paraqiten me titullin “Thirrje Gjyqësore” dhe përmbajnë numra dosjesh kinse zyrtare.
PK sqaron qartë se këto dokumente nuk janë as zyrtare, as të prodhuara nga Policia e Kosovës. Bëhet fjalë për falsifikime të pastra, të krijuara për qëllime të caktuara mashtruese, ku përmenden në mënyrë të rreme institucione si Agjencia e Sigurisë Kibernetike e Kosovës, FBI, Policia Kombëtare e Krimit Kibernetik dhe INTERPOL-i.
Njoftimi i plotë:
Prishtinë, më 28 nëntor 2025Policia e Kosovës (PK), njofton opinionin publik lidhur me qarkullimin dhe shpërndarjen nëpër e-maile të ndryshme, të disa informacioneve jozyrtare (false/rreme), që kinse i përkasin Policisë së Kosovës dhe organizatave të ndryshme, informacione këto kinse janë lëshuar edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovs, andaj sqaron se:
Këto informacione të dërguara nga kinse zyrtarë të lartë të PK-së, të emërtuara si “THIRRJE GJYQËSORE”, me numër referues të dosjeve të lëshuara kinse siç potencohen në e-maile nga stafi i lartë menaxhues i PK-së, Agjencia e Sigurisë Kibernetike në Kosovës, Byroja Federale e Hetimeve, Policia Kombëtare e Krimit Kibernetik dhe Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale etj., NUK janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-mail-e/dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara.
Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, pas sigurimit të informacioneve rreth përsëritjes së qarkullimit të e-mail-eve të tilla, po kryen hetime intensive, duke angazhuar njësitet kompetente policore, me qëllim të hetimit, verifikimit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale.
Policia e Kosovës njofton dhe njëherit fton qytetarët që të mos bien pre e dezinformatave/mashtrimeve të tilla dhe kushdo që mund të pranojë ndonjë e-mail/dokument të tillë, ta adresojë në adresën zyrtare të PK-së [email protected] për trajtim dhe kompetencë të mëtejme./Lajmi.net/