Policia apelon, mos festoni me armë

Policia fton qytetarët që të mos përdorin armët e zjarrit në festat e tyre familjare. Në shumë raste, festimet e tilla, kanë rezultuar me të plagosur, e edhe me vrasje. 

Lajme

24/06/2014 16:33

Policia rajonale e Ferizajt po vazhdon me sukses implementimin e projektit\” Festo me zemër, jo me armë\”, i cili po zbatohet në kuadër të planit operativ të policisë \”Sezoni veror 2014\”, me qëllim të parandalimit të përdorimit të armëve të zjarrta nëpër dasma dhe ahengje të ndryshme. 

Burime policore kanë bërë të ditur se në dy raste të ndara në komunën e Ferizajt, policia ka ndaluar dy persona dhe ka konfiskuar dy armë të cilat dyshohet se janë përdorë në ahengje familjare. 

Zëdhënësi rajonal i policisë, togeri Agim Gashi, ka thënë se policia është e përkushtuar që të veproj në të gjitha rastet ku kërcënohet rreziku nga përdorimi i armëve të zjarrta. 

\”Në fshatrat Nerodime dhe Gaqkë të Ferizajt, policia ka konfiskuar dy armë llojesh dhe kalibrash të ndryshëm me të cilat është shtënë gjatë ahengjeve familjare. Pas intervistimit të personave të dyshuar dhe konfiskimit të armëve, prokuroria ka urdhëruar që palët të lirohen, kurse lëndët të dërgohen në procedurë të rregullt\” ka thënë Gashi. 

Për më tepër mësohet se Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, u ka bërë thirrje qytetarëve që të abstenojnë nga përdorimi i armëve në gazmendet familjare.\”Jemi dëshmitarë të rasteve anekënd vendit dhe për pasojat fatale të njerëzve moshash të ndryshme e sidomos të fëmijëve, të cilët po pësojnë vetëm nga pakujdesia apo teket e individëve të papërgjegjshëm\”, ka shtuar Gashi. 

Sipas Gashit, veprimet policore në kuadër të projektit të lartshënuar, asesi nuk duhen kuptuar si cenim, ndërhyrje apo kufizim në organizimin e ahengjeve familjare. Ai thotë se se qëllimi është që këto manifestime duhet të jenë konform ligjit, qetësisë si dhe konform normave juridike të parapara me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës. 

\”Synimi i policisë është, që ahengjet dhe manifestimet e ndryshme të kenë rrjedhë të mbarë, të qetë e pa të shtëna dhe që festat e qytetarëve të jenë të dinjitetshme\”, ka pohuar Gashi. 

Ndryshe, policia në rajonin e Ferizajt, në vazhdimësi po ndërmerr veprimet e nevojshme për parandalimin e kësaj dukurie, e vlerësuar si aspak e mirë dhe shumë e rrezikshme për jetën e qytetarëve.