Polemika të ashpra për punën e Nënës Tereze në Indi

Në Indi po vazhdon polemika pas deklaratës së një lideri hindus, i cili kishte thënë se puna humanitare e Nënës Terezës kishte vetëm një objektiv, konvertimin e njerëzve në të krishterë.

Bota

24/02/2015 23:32

“Shërbimi i Nënë Terezës do të ishte i mirë. Por shërbeu duke pasur vetëm një objektiv, për të konvertuar individët, të cilëve u shërbente në të krishterë”, kishte thënë lideri hindus Bhagwat.

“Por çështja nuk do të kishte të bënte me konvertimin, por derisa u bë me shërbimin e saj, atëherë është i pavlefshëm”, ka shtuar ai, raporton KTV.

Mohan Bhagwat është kreu i pushtetshëm i Organizatës Kombëtare Hinduse, e afërt me kryeministrin aktual, Narendra Modi.

Politikanët e opozitës e kanë kritikuar deklaratën e tij, derisa shumë indianë kanë shprehur zemërimin nëpër rrjetet shoqërore.

“Nënë Tereza ua kishte kushtuar jetën të varfërve”, ka theksuar lideri i të krishterëve në New Delhi, ati Savarimutu. E partia kryesore opozitare në vend ka kërkuar kërkim-falje nga partia në pushtet, duke thënë se këtë çështje do ta diskutojnë edhe në Parlament.

“Nënë Tereza s’do të duhej të ofendohej në këtë mënyrë”, ka deklaruar lideri i opozitës, Rajiv Shukla, transmeton Koha.net.

Nënë Tereza, e cila kishte punuar për më shumë se 50 vjet duke ndihmuar të varfrit në Kalkuta, kishte themeluar organizatën “Misionarët për bamirësi” dhe ishte shpërblyer edhe me çmimin “Nobel” për punën e saj, më 1979.

India po ashtu kishte njohur kontributin e shqiptares së shquar, duke e nderuar me çmimin “Perla e Indisë”, çmimin më të lartë civil në vend.