“Plani i Rritjes”, Marta Kos: Do të shpërndajmë rreth 200 milionë euro për Shqipërinë dhe Malin e Zi

Shqipëria do të përfitojë një tjetër fond nga Bashkimi Evropian, në kuadër të Planit të Rritjes. Bëhet fjalë për fondin prej 200 milionë eurosh, që BE-ja do të shpërndajë ditët në vijim për Shqipërinë dhe Malin e Zi, dy vendet që kryesojnë procesin e anëtarësimit dhe synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade. Lajmi…

Lajme

11/05/2026 19:19

Shqipëria do të përfitojë një tjetër fond nga Bashkimi Evropian, në kuadër të Planit të Rritjes.

Bëhet fjalë për fondin prej 200 milionë eurosh, që BE-ja do të shpërndajë ditët në vijim për Shqipërinë dhe Malin e Zi, dy vendet që kryesojnë procesin e anëtarësimit dhe synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade.

Lajmi u bë i ditur nga komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, para takimit në Bruksel, mes ministrave të Jashtëm të 27 vendeve anëtare të unionit dhe homologëve të tyre në gjashtë vendet e rajonit.

“Kam një mesazh shumë të qartë: ka një vend për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Zgjerimi është përparësi për Bashkimin Evropian dhe nëse kandidatët tanë arrijnë rezultate, atëherë edhe ne duhet të përmbushim detyrat tona. Në planin e rritjes, zbatimi po ecën mirë dhe ditët në vijim do të shpërndajmë rreth 200 milionë euro për Malin e Zi dhe Shqipërinë”, u shpreh Kos.

Plani i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, në vlerën e 6 miliardë eurove, synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të unionit me gjashtë vendet e rajonit.

Aktualisht, Komisioni Europian ka ngrirë fondet për Serbinë, për shkak të ligjeve kontestuese për drejtësinë.