Fjalimi i Osmanit, analistët: Përpjekje për t’ia zgjatur vetës jetën politike – mundësi revanshi ndaj VV-së
Fjalimi i mbrëmshëm i ish-presidentes Vjosa Osmani përpara elektoratit të LDK-së po cilësohet si përpjekje e saj për t’ia zgjatur vetes jetën politike, por edhe si mundësi revanshi të saj ndaj Lëvizjes Vetëvendosje. Megjithatë, po vlerësohet se ky bashkim do të jetë storje suksesi në zgjedhjet e 7 qershorit, dhe se Lista Guxo s’do jetë…
Lajme
Fjalimi i mbrëmshëm i ish-presidentes Vjosa Osmani përpara elektoratit të LDK-së po cilësohet si përpjekje e saj për t’ia zgjatur vetes jetën politike, por edhe si mundësi revanshi të saj ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.
Megjithatë, po vlerësohet se ky bashkim do të jetë storje suksesi në zgjedhjet e 7 qershorit, dhe se Lista Guxo s’do jetë më organizatë serioze politike në Kosovë.
Osmani, fjalimin e saj e nisi duke thënë se “po kthehem në shtëpi” dhe se sipas saj, tani përpara Kosovës janë dy rrugë.
Përpara kemi rrugën e atyre që kërcënojnë me zgjedhje çdo 3 muaj dhe rrugën e amanetit të Rugovës.
“Në njërën anë është rruga e atyre që kërcënojnë ta dërgojnë vendin në zgjedhje çdo 3 muaj sepse nuk ngopen kurrë. Rruga e atyre që e shndërrojnë në mision eliminimin e çdonjërit që Republikën e vendos përpara interesit partiak e ideologjik, rruga e atyre që e dërguan vendin në zgjedhje të panevojshme e ia refuzuan popullit 51% vetëm për ta eliminuar një presidente që ulet me presidentin e ShBA-së. Rruga tjetër është rruga e amanetit të Rugovës, rruga e Kosovës që s’përkulët kurrë dhe as nuk vet izolohet”, ka thënë dje Osmani.
Fjalimin e Osmanit, analisti politik, Arbnor Sadiku, në një prononcim për KosovaPress tha se e sheh si mundësi revanshi të ish-presidentes ndaj Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, pasi sipas tij, kjo e fundit kishte një plan që ta eliminonte nga skena politike Osmanin dhe ta bënte shef të shtetit Glauk Konjufcën.
“Në një formë apo tjetër, ajo po e bën atë praktikisht e bënte VV-ja ndaj saj, vetëm në heshtje sepse u pa që ka pasur një projekt që atë ta eliminojnë politikisht dhe karshi kësaj, ndonëse ajo e ka kuptuar këtë shumë vonë, bëri veprimet e saj që kaloi në LDK dhe e ka si mundësi të revanshit nëpërmjet LDK-së që t’i kundërvihet VV-së. Besoj që ajo që dihet është se do të jetë një sukses-storje për LDK-në bashkëngjitja e Vjosa Osmanit”, tha ai.
Tutje, Sadiku tha se kalimi i Osmanit në LDK do ta dëmtojë në përqindje të konsiderueshme Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se pret që LDK-ja të shkojë në 22 apo 23 për qind, teksa shtoi se Lista Guxo nuk do të jetë më një organizatë serioze politike në vend.
“Shifrat parashihen që LDK-ja të shkojë në 22 apo 23 për qind, që i bie se një pjesë e votës 7 apo 8 për qind mund të rrjedhë nga VV-ja, pastaj edhe nga disa vota mund t’i vijnë kur të krijohet fryma edhe nga votat e papërcaktuara dhe partitë e tjera politike, për faktin që tashmë lidershipi politik do të jetë i ndarë në Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin. Mendoj që nuk do të arrijë ta kthej të tërin por një pjesë të madhe po, mendoj se Listën Guxo do ta dëmtojë seriozisht dhe ajo nuk do të jetë më një organizatë serioze politike në Kosovë”, tha ai për KosovaPress.
E, kthimin e Osmanit në LDK, analisti Blerim Canaj e sheh si përpjekje të kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku, për shpëtim të vetes, por njëkohësisht edhe të vetë Osmanit që t’ia zgjas jetën politike asaj.
Canaj tha se nga fjalimi i mbrëmshëm i Osmanit përpara elektoratit të LDK-së, u vërejt se do të ketë një fushatë konfrontuese, teksa tha se pret që diku 40-50 mijë vota t’i kalojnë LDK-së nga VV-ja.
“Në njërën anë mund ta lexojmë si përpjekje të Abdixhikut që ta shpëtojë veten, por njëkohësisht edhe nga ana e Osmanit që t’ia zgjas jetën politike vetvetes. Në anën tjetër nëse pyesim për numrat se a mund të ndikojë në LDK, natyrisht pres dhe besoj se Osmani do të mund ndoshta ta merr një përqindje të caktuar të votës që e ka dërguar në Vetëvendosje. Natyrisht, nuk pres që ta merr të gjithën, siç pretendohet diku 130 e sa mijë vota. Por, 40-50 mijë vota absolutisht po”.
Më tej, Canaj tha se në fjalimin e Osmanit përpara elektoratit të LDK-së vërehej dhimbja që ajo e kishte, sipas tij, për veten që nuk ishte bërë presidente, teksa tha se përpjekja është që në skenën politike të jenë dy figura të dukshme, Osmanin dhe Kurtin.
“Në anën tjetër, vërehej ajo dhimbja që e kishte Osmani për veten që nuk ishte bërë presidente. Tash, goditje natyrisht se do të ketë, pasi e pash që e goditi edhe për izolimin e Kosovës e për shumëçka, por harronte që pikërisht në atë periudhë, Osmani ka qenë presidente dhe shefe e politikës së jashtme. Kur është çështja te faji, është faj i përbashkët, por tani i duhet Osmanit. Përpjekja është që të kemi në skenë dy figura të dukshme, Osmanin dhe Kurtin”, tha Canaj për KosovaPress.
Zgjedhjet e ardhshme në Kosovë do të mbahen më 7 qershor, ndërsa partitë politike ende nuk i kanë zyrtarizuar listat e kandidatëve për deputetë./kp