“Plaku”: Grabita bankën për të larë borxhet e bixhozit

Aventura e grabitjes së një banke të nivelit të dytë në Durrës duket se nuk ka zgjatur shumë për dy të rinjtë, pasi kanë rënë shpejt në prangat e policisë.

Lajme

11/07/2015 11:46

Në Gjykatën e Durrësit dje u mbajt seanca e caktimit të masës së sigurisë për të arrestuarin e parë të kësaj grabitjeje, Alban Duka.

Në sallën e gjyqit, Alban Duka ka deklaruar se e ka kryer grabitjen nën presionin e borxheve të shumta që kishte për shkak të bixhozit dhe kërcënimeve serioze për jetën, nëse nuk do t’i shlyente.

31-vjeçari, me banim në Tiranë, ka treguar se ka lënë shuma të mëdha në kazino dhe është futur në borxhe.

Pronarët e këtyre pikave të basteve e kishin kërcënuar Dukën me jetë, nëse ai nuk ua shlyente lekët e shpenzuara.

“Unë kisha shumë borxhe, pasi jam një frekuentues i rregullt i bixhozit, prej kohësh. Shuma e borxheve vetëm po rritej, ndërsa ata që më kishin dhënë borxh kishin filluar të më kërcënonin me jetë, nëse nuk u ktheja paratë. Ata më nxisnin të bëja çdo gjë për t’u kthyer paratë, ndaj vendosa të grabis bankën”,ka pohuar Duka, i cili ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

maska e grabitësit te bankës

Duka është i dyshuar për veprën penale “vjedhje me armë” dhe “prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”.

Pasi ka dëgjuar palët, gjyqtari i seancës, Fejzo Hysi, ka vendosur të vlerësojë të ligjshëm “arrestin në flagrancë” dhe ka caktuar si masë sigurimi “arrest me burg” ndaj Dukës, i cili u kap nga shërbimet e policisë që u vunë në ndjekje të tij, pak pas grabitjes.

Autorët kanë mundur të grabisin 8.765 dollarë, 7.015 euro dhe 1.774.132 lekë.

Sipas burimeve nga policia, mësohet se dy persona, të maskuar si pleq, kanë neutralizuar rojet në hyrje të bankës dhe më pas kanë hyrë në ambientet e brendshme të saj.

Pas grabitjes, dy autorët janë larguar me motor. Pas lajmërimit për ngjarjen, policia e Durrësit ngriti menjëherë postblloqe në pika të ndryshme të qytetit.

Në afërsi të rrugës së plazhit, policia arrestoi Alban Dukën, ndërsa i dyti i identifikuar me inicialet G.K, ka mundur të largohet.

Ai u kap një ditë më vonë në Tiranë. 31-vjeçari Alban Duka në momentin e grabitjes ishte maskuar si një i moshuar, me një maskë që dukej qartë se ishte punuar nga një profesionit.

Në videon e marrë nga kamerat e sigurisë, e cila u publikua dje nga policia, duken qartë lëvizjet e 31-vjeçarit, i cili pasi neutralizon rojet e sigurisë i drejtohet arkës dhe merr shumat që ishin aty.

Gjatë arrestimit ai ka pasur me vete dhe qesen e parave të marra nga banka, e cila u sekuestrua nga forcat e policisë. Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar në cilësinë e provave materiale një armë zjarri tip automatik kallashnikov, një pistoletë, 29 fishekë, 1 motoçikletë, 1 makinë tip “Jaguar” me 2 targa të vendosura (AA 931 IN dhe TR 4955 M),1 paruke, 2 T-shirt dhe 1 çantë që shërbente për vendosjen e parave së bashku me shumën e parave të grabitura brenda në çantë. /shekulli/