Picula pyet BE-në: A do të ndryshojë Serbia orientimin e politikës së jashtme pas ndryshimeve politike?

Eurodeputeti Tonino Picula ka ngritur çështjen e zhvillimeve politike në Serbi dhe ndikimin e mundshëm të ndryshimit të pushtetit në orientimin e politikës së jashtme të vendit, gjatë një diskutimi në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET). Në këtë mbledhje ishte e pranishme edhe komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos,…

Lajme

05/11/2026 08:14

Eurodeputeti Tonino Picula ka ngritur çështjen e zhvillimeve politike në Serbi dhe ndikimin e mundshëm të ndryshimit të pushtetit në orientimin e politikës së jashtme të vendit, gjatë një diskutimi në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET).

Në këtë mbledhje ishte e pranishme edhe komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, e cila prezantoi Paketën e re të Zgjerimit të BE-së.

Picula ka thënë se gjatë vitit të fundit është shënuar përparim në procesin e zgjerimit, duke përmendur Malin e Zi, i cili është pranë përfundimit të negociatave të anëtarësimit, Shqipërinë, që është pranë mbylljes së kapitujve të negociatave, si dhe Ukrainën dhe Moldavinë, që po përgatiten të hapin kapituj të rinj.

Megjithatë, eurodeputeti kroat ka theksuar se sundimi i ligjit, demokracia dhe reformat duhet të mbeten bazat e procesit të zgjerimit, i cili duhet të mbështetet në merita.

Një pjesë të veçantë të diskutimit Picula ia ka kushtuar Serbisë, duke iu referuar zgjedhjeve parlamentare dhe ndryshimeve në skenën politike të vendit. Ai e ka pyetur komisioneren Kos nëse ndryshimi i pushtetit mund të sjellë edhe një kthesë në politikën e jashtme të Serbisë, veçanërisht në përafrimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe në raportet me shtetet fqinje.

Sipas Piculës, në përgjigjen e saj, komisionerja Marta Kos ka deklaruar se Bashkimi Evropian është i gatshëm të ndihmojë qeverinë e re serbe në zbatimin e reformave.

Megjithatë, ajo ka theksuar se një prej çështjeve kryesore mbetet rikthimi i besimit të dëmtuar ndërmjet Serbisë dhe shteteve anëtare të BE-së, si dhe forcimi i besimit të qytetarëve serbë ndaj Bashkimit Evropian.

Picula ka përfunduar se pa reforma konkrete dhe rikthim të besimit, nuk mund të ketë përparim të mirëfilltë të Serbisë në rrugën drejt integrimit evropian.