Muriqi flet pas golit ndaj Liverpoolit, nuk e lë pa e përmendur as Kosovën
Vedat Muriqi ka përjetuar emocione të veçanta pas golit të shënuar në fitoren e madhe të Fenerbahçes ndaj Liverpoolit, me rezultat 3-2, në Ligën e Kampionëve. Sulmuesi i Kosovës, i cili realizoi golin vendimtar në këtë përballje, ka rrëfyer se kjo mbrëmje kishte një domethënie të veçantë për të, pasi lidhjen me klubin turk e…
Sport
Vedat Muriqi ka përjetuar emocione të veçanta pas golit të shënuar në fitoren e madhe të Fenerbahçes ndaj Liverpoolit, me rezultat 3-2, në Ligën e Kampionëve.
Sulmuesi i Kosovës, i cili realizoi golin vendimtar në këtë përballje, ka rrëfyer se kjo mbrëmje kishte një domethënie të veçantë për të, pasi lidhjen me klubin turk e kishte krijuar që në fëmijëri.
Në një deklaratë për agjencinë turke të lajmeve DHA, Muriqi ka zbuluar se fitoren e Fenerbahçes ndaj Chelseat, para 18 vjetësh, e kishte përcjellë si fëmijë në Kosovë, së bashku me shokët e tij.
“Para 18 vjetësh, kur isha fëmijë, e mbaj mend shumë mirë ndeshjen kur Fenerbahçe e mposhti Chelsean 2-1. E kisha shikuar atë ndeshje në Kosovë, së bashku me shokët e mi. Pas 18 vjetësh, jam shumë i lumtur dhe krenar që shënova golin e fitores në Ligën e Kampionëve”, ka deklaruar Muriqi.
Ai ka folur edhe për rëndësinë e triumfit ndaj Liverpoolit, duke shpresuar që kjo fitore të shërbejë si pikë kthese për skuadrën, e cila sipas tij po kalon një periudhë të vështirë.
“Jam shumë i lumtur. Golin tim ua kushtoj tifozëve tanë. Po kalojmë momente të vështira. Treguam se sa i madh është Fenerbahçe. Të gjithë e kanë ndier, e nisëm ndeshjen në mënyrë të jashtëzakonshme. E patëm një top që u kthye nga shtylla, pësuam një gol të pafat, por ia dolëm dhe u rikthyem. Kjo është madhështia e Fenerbahçes. Falënderoj të gjithë nga zemra. Shpresoj që kjo fitore të jetë pikë kthese për këtë sezon”, ka thënë sulmuesi kosovar.
Muriqi ka theksuar se objektivi kryesor i Fenerbahçes mbetet titulli i kampionit në kampionatin turk, ndërsa në Ligën e Kampionëve skuadra synon të shkojë sa më larg që të jetë e mundur.