Peticioni në tërë Kosovën

Burim Ramadani i AAK'së thotë se mbledhja e nënshkrimeve të qytetarëve do të bëhet në të gjitha Komunat e Kosovës. Ai pret numër të madh të nënshkrimeve dhe beson se qytetarët janë për rrëzimin e Qeverisë. Pas peticionit, thotë se vijnë hapat tjerë.

Lajme

04/03/2014 19:20

Partia e Ramush Haradinajt nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga rrëzimi i Qeverisë.

Pasi nuk i “dhezi” formula e mocionit të mosbesimit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë gati Planin B. Tani po kërkon ndihmën e qytetarëve.

Që nga sot, AAK ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për peticion qytetar me kërkesë për t’ iu drejtuar Parlamentit të vendit për ta shkarkuar Qeverinë.

Në një bisedë për lajmi.net, Sekretari i Përgjithshëm i AAK’së, Burim Ramdani, thotë se iniciativa ka filluar të realizohet në të gjitha Komunat.

I pyetur nëse nuk kryen punë peticioni, a do të ketë protesta, Ramadani ka thënë se për këtë do të flasin pas peticionit.

“Kjo iniciativë do të realizohet në të gjitha Komunat e Kosovës dhe totalin e presim me një numër të madh të qytetarëve, sepse janë për rrëzimin e Qeverisë”.

“Pastaj, me ato do të vazhdojmë procedurat”.

“Ky është një presion publik dhe demokratik.”

“Ne jemi në fazën kur po organizojmë peticion të qytetarëve. Pas peticionit që do ta nënshkruajnë qytetarët, do të marrim hapat tjerë”.

Ramadani nuk ka dashur të mendojë dështimin e peticionit, çfarë në qoftë se as ai, njësoj si mocioni i mosbesimit, nuk rezulton i suksesshëm?

“Nuk ka në qoftëse tek ne. Kur ta kryejmë këtë fazë, do të vazhdojmë me fazën tjetër”.

Megjithëse AAK në fillim ishte deklaruar për zgjedhje të rregullta, kjo parti më vonë ndryshoi kursin, duke kërkuar që ato të mbahen sa më shpejt që është e mundur, për shkak të krizës institucionale që  ka kapluar vendin.

Mirëpo, iniciativa për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë nuk mori përkrahjen e dy partive tjera opozitare, LDK dhe Vetëvendosje.