Pesë autoritete hetojnë ish-kryeministrin britanik, Edward Heath
Pesë autoritete të ndryshme në Britaninë e Madhe janë duke hetuar ish-kryeministrin e këtij vendi, Sir Edward Heath në lidhje me pretendimet për abuzime seksuale me të mitur.

Bota
Në të vërtetë, hetime të ngjashme ishin nisur para disa dekadash, por ato ishin ndërprerë. Njëri nga detektivët që u pensionua pas viteve ‘90-të tha se ato kishin marrë fund pas “disa telefonatave” që e kërkonin një gjë të tillë.
Akuzat për abuzime seksuale me të mitur ndaj ish-kryeministrit ishin ardhur nga një drejtuese e një lokali nate ku kishte edhe prostituta, ku Heath pretendohet se ishte njëri nga klientët.
Gruaja, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur por që më vonë u dënua me 6-vjet heqje lirie, ka thënë se prostituonte vajza nga 13-vjeç.
Fondacioni me emrin e ish-kryeministrit ka mirëpritur rifillimin e hetimeve, pasi kërkojnë që emri i Heath, që vdiq para dhjetë vitesh, të pastrohet.
Sir Edward Heath ishte kryeministër i Britanisë nga viti 1970 deri më 1974, ai gjithashtu ishte edhe lider i Partisë Konservatore për dhjetë vite, saktësisht nga 1965 deri më 1975.
Ai u pasua nga Margaret Thatcher, të cilën ai kurrë nuk e fali, pasi më vonë refuzoi të shërbente edhe në kabinetin e saj. /Top Channel