Përvjetori i kryengritjes në Egjipt, tre të vrarë (Video)
(E plotësuar) Në kryeqytetin Kajro dhe në qytete tjera të Egjiptit policia ka ngritur shkallën e gatishmërisë për të parandaluar disa protesta të intensitetit më të vogël, në të cilat është vrarë një demonstrues, kurse dhe disa tjerë janë plagosur.
Bota
Sipas informacioneve më të reja, personi i vrarë në Kajro është aktivistja poltike Shaima al-Sabah (34-vje♪e), e cila u godit në kokë gjatë protestës.
Shaima al-Sabah, anëtare e Partisë Popullore Socialiste, e cila organizoi shëtinë paqësore në sheshin Tahrir në Kajro, u vra nga arma e zjarrit derisa po shkonte për të vendosur një kurorë lulesh për të përkujtuar të vrarët e para katër vjetëve.
Kryeministri Ibrahim Mahlab premtoi se fajtori do të gjendet dhe do të dënohet, kurse MPB njoftoi se dyshohet në një grup islamik, të cilët janë infiltruar në mesin demonstruesve për të shkaktuar trazira.
Pas kësaj, duke shfrytëzuar këtë ngjarje, ekstremistët bën ftesë për “revolucion”.
Protestat u mbajtën për të shënuar 4-vjetorin e kryengritjes masive të vitit 2011, kur u rrëzua nga pushteti ish-presidenti Hosni Mubarak.
Një demonstrues u vra në qytetin Aleksandria, pasi policia u përlesh me rreth 300 demonstrues të partisë së ndaluar Vëllazëria Myslimane.
Sipas zyrtarëve policorë, demonstruesi ka shtënë në drejtim të policëve, kurse policët e kanë kthyer zjarrin në drejtim të tij. Në po këtë protestë janë plagosur edhe disa demonstrues, transmeton agjencia e lajmeve AP.
Në shpërthimin e bombës të hedhur nga demonstrues në Kajro janë plagosur dy policë, por forcat e sigurisë shkatërruan shpejt grupet e vogla të protestuesve.
Në rajonin Baheir, në deltën e Nilit, 170 kilometra larg Kajros, dy ekstremistë janë vrarë kur kanë shpërthyer bombat që ata ishin duke i vendosur, njofton televizioni shtetëror egjiptian.
Shumica dërmuese e 18 milionë banorëve të Kajros nuk dolën fare sot në rrugë për të shmangur çfarëdo lloj rreziku nga protestat e grupeve të vogla në pjesë të ndryshme të qytetit.