Përsëri tema e bllokimit
Visar Ymeri tha se Kuvendi ka qenë i bllokuar për shkak se koalicioni qeverisës ka dashur që të pengojë formimin e Komisionit Hetimor. Kështu nuk mendon Adem Grabovci. Ai thjesht kërkon që të respektohet rregullorja e Kuvendit.

Lajme
Kuvendi i Kosovës sot iu kthye punës së saj të rregullt pas disa seancave që ishin bllokuar në mungesë kuorumi.
Por përsëri çështja e bllokimit u ngrit nga Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, i cili sërish shprehu qëndrimin e tij se ky bllokim ka ndodhur për shkak se koalicioni qeverisës ka dashur që ta bllokojë formimin e Komisionit Hetimor për privatizimin e PTK’së.
“Bllokimi i Kuvendit është bërë për formimin e Komisionit Hetimor dhe ky bllokim është bllokim i hetimit të procesit të PTK’së”.
“Qeveria po tenton ta bllokojë hetimin. Të gjithë e dimë që Qeveria e ka nisur një proces të tenderimit dhe e ka shpallë një kompani. Prandaj ne aty kemi se çka të hetojmë”.
“Puna e pamundësuar e Kuvendit u mundua që të kamuflohet me pjesëmarrjen e deputetëve në fushatë”.
Ymeri u bëri thirrje 40 deputetëve nënshkrues për formimin e Komisionit Hetimor të mos tërhiqen, por t’i shkojnë kësaj pune deri në fund.
“Është absolutisht e dëmshme të tërhiqemi nga formimi i Komisionit Hetimor sepse të gjitha duhet të zbardhen nga ky Kuvend”.
Këtij deklarimi ju përgjigj Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci i cili tha se as partia e tij por as koalicioni qeverisës nuk kanë zgjedhur rrugën e bllokimit, por thjesht kanë kërkuar “respektimin e rregullores së Kuvendit”.
Ai kërkoi që të mos të krijohet mjegull tek opinioni publik për këtë çështje.
“Ne asnjëherë nuk kemi kërkuar të bllokojmë formimin e Komisionit por kemi kërkuar që të respektohet rregullorja e Kuvendit”.
“Për hir të opinionit, që të mos krijohet mjegulli dhe paqartësi, edhe njëherë dua ta qartësoj pozicionimin e PDK’së dhe koalicionit se asnjëherë nuk kemi ndjekur rrugët e bllokimit kur ka qenë fjala për çështje nacionale”.
“Kemi dy çështje që duhen votuar andaj nuk duhet të krijohet mjegull shpifje e paqartësi, dhe ju them çdo grupi dhe çdo deputeti që dëshiron që të hetojë, do ketë përkrahjen tonë”.
“Këtë e bëjmë për të hequr mëdyshjen për çdo çështje. Ne vetëm kërkojmë të respektohet rregullorja dhe ligji”, tha Adem Grabovci.