Përmbytet jugu i Shqipërisë, ushtria po evakuon banorët (Video)

Dalja nga shtrati e lumenjve Vjosë, Osum dhe Gjanica si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe mungesës së energjisë në hidorovrë, ka përmbytur komunën e Novoselës në Vlorë, disa zona të Fierit dhe Urën Vajgurore në Berat. Shtëpitë dhe dhjetëra hektarë tokë janë përmbytur.

Lajme

01/02/2015 16:45

Prej dy ditësh Shqipëria po përballet me një situatë të rëndë për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Pasojat po shihen në disa prej rretheve të vendit, ku më i prekur mbetet jugu. Reshjet e shumta vazhdojnë të përbëjnë kërcënim dhe të shkaktojnë përmbytje, rrëshqitje dheu dhe prishje të rrjetit elektrik. 

Situata paraqet rrezikshmëri të lartë në disa zona të jugut të vendit, ku dalja nga shtrati e lumenjve Vjosë, Drino, Gjanica, Osum dhe Shkumbin kërcënon për një katastrofë natyrore. Në kushtet e përmbytjeve të qindra hektarëve tokë e dhjetëra banesave, Shtabi i Emergjencave vendosi për evakuimin e detyrueshëm të banorëve. Janë evakuuar deri më tani rreth 70 familje, në komunën e Novoselës, në urën e Mifolit po në Vlorë, në Urën Vajgurore në Berat, Memaliaj etj, ndërsa 120 të pritet të evakuohen nga forcat e policisë. 

Evakuohet me Cougar i bllokuari në Memaliaj 

Forcat e armatosura kanë bërë të mundur evakuimin e një shtetasi që kishte mbetur i bllokuar në një lokal në Memaliaj. Për shpëtimin e personit, është përdorur një helikopter i Forcave të Armatosura, i llojit Cougar.

Prej orëve të para të mëngjesit, për shkak të daljes nga shtrati të lumit Vjosa, Fatos Sernuzaj, që është roje në një lokal, kishte hipur në çatinë e lokalit duke pritur që të shpëtohej nga ajri,  pasi ishte e pamundur që të dilte.

Forcat e Armatosura janë angazhuar në përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e orëve të fundit në jug të vendit. FA po japin kontributin e tyre me trupa dhe mjete për përballimin e situatës. FA janë në gatishmëri edhe në Vlorë me trupa dhe mjete. Në Qarkun e Beratit FA ka bërë evakuimin e 9 familjeve, raportojnë mediat në Shqipëri.