Përfundon faza e parë e seleksionimit të kandidatëve për rekrutë të FSK-së

Ministria e Mbrojtjes me anë të një komunikate edhe zyrtarisht njofton se ka përfunduar faza e parë e seleksionimit të kandidatëve për rekrutë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Lajme

18/04/2019 17:42

Ministria e Mbrojtjes prej datës 11 deri më 22 shkurt ka pasur të hapur konkursin e rregullt për pranimin e 650 rekrutëve të rinj në FSK.

Në këtë konkurs  kanë aplikuar gjithsej 6759 persona, të cilët i janë nënshtruar fazës së parë të testimit.

Nga faza e parë e testimit, në një proces të drejtë, profesional dhe transparent të vlerësimit, bazuar në kriteret dhe standardet e përcaktuara për shërbim në FSK, për të vazhduar garën e mëtejme janë përzgjedhur 1029 kandidatë.

Lista e kandidatëve është shpallur në web-faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes më 17 prill.

Të gjithë ata që janë të pakënaqur  me fazën e parë të testimit dhe të përzgjedhjes, ankesat me shkrim  duhet t’i dorëzojnë  në Departamentin e Personelit, në Ministri të Mbrojtjes, në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë,  deri më datë 26 prill. Ankesat duhet të dorëzohen gjatë ditëve të punës dhe brenda orarit të rregullt të punës.

“Të gjitha ankesat do të shqyrtohen sipas rregullave dhe procedurave ligjore. Të  gjithë të ankuarve do t’ju jepet mundësia t‘i shohin  rezultatet e testeve të tyre dhe të njihen me procesin e vlerësimit”, thuhet në njoftimin nga Ministria e Mbrojtjes. /Lajmi.net/