Përdorimi i kompromatit dhe përpjekjet për të ndërtuar shtetin e shantazhit me shqiptarëve

21:56 | 27 Gusht 2021

Sikurse në Rusi e republika të tjera ish-sovjetike, edhe Kosova e Shqipëria po marrin profilin e modelit të qeverisjes bazuar tek një lider populist që ka maksimumin e pushtetit të përqendruar në dorën e tij dhe që përdor zbatimin selektiv të ligjit si instrument për të konsoliduar pushtetin e dobësuar kundërshtarët.

Shkruan: ADRI NURELLARI

Për sa i përket modelit të qeverisjes, brenda botës postkomuniste europiane, dy shtetet shqiptare fatkeqësisht po ngjajnë gjithnjë e më shumë me ish-republikat sovjetike, sesa me shtetet e Europës Qendrore, të cilat u europianizuan me hapa të shpejtë. Veçoria karakterizuese e republikave ish-sovjetike është aplikimi gjithnjë e më shumë i të ashtuquajturit “shtet shantazhi”, një praktikë kjo që po konsolidohet edhe mes shqiptarëve. Sikurse në Rusi e republika të tjera ish-sovjetike, edhe Kosova e Shqipëria po marrin profilin e modelit të qeverisjes bazuar tek një lider populist që ka maksimumin e pushtetit të përqendruar në dorën e tij dhe që përdor zbatimin selektiv të ligjit si instrument për të konsoliduar pushtetin e dobësuar kundërshtarët. Shembulli më klasik sot është ai i Putinit, i cili për të marrë edhe vota goditi në mënyrë sensacionale në publik oligarkë kundërshtarë si Berezovski e Khodorkovski, por nga ana tjetër çimentoi sistemin oligarkik duke kultivuar favore me të tjerë oligarkë pro tij si: Abramoviç, Abramov, Deripaska, Prokhorov, Usmanov, Khan, Vekselberg, Malofeev etj.

Termi “shtet i shantazhit” e ka origjinën te punimet e profesorit Keith Darden të Universitetit Amerikan lidhur me Ukrainën e dy dekadave më parë, të sunduar nga Leonid Kuçma. Shteti i shantazhit, sipas Darden, përbëhej nga tri elementë themelorë. Pikësëpari “veset, shkelja e rregullave dhe korrupsioni tolerohen nga autoritetet shtetërore, dhe madje inkurajohen nga qeveritarët”. Në këtë mënyrë, qeveritare iu leverdis që të ketë sa më shumë të njollosur sepse si të tillë nuk kanë të drejtë morale që të ngrenë zërin. Madje, edhe kur të guxojnë ta ngrenë, të jenë lehtësisht të shantazhueshëm e të kontrollueshëm. Së dyti, “korrupsioni tolerohet, por në të njëjtën kohë mbikëqyret shumë rreptësishtë”. Sistemi i ligjeve dhe i rregulloreve të Ukrainës asokohe ishte jashtëzakonisht kompleks, duke e bërë praktikisht të sigurt se pothuajse të gjithë në njëfarë mënyre kanë shkelur ligjin e kanë bërë evazion. Ky element vlen edhe për Shqipërinë e Kosovën ku ka pa fund mbivendosje e boshllëqe ligjore si dhe procedura të koklavitura. Institucionet e mbikëqyrjes shtetërore të Ukrainës së Kuçmas ishin të kujdesshme në zbulimin e shkeljeve të tilla të ligjit dhe regjistrimin e tyre, por nuk i përdornin “për sa kohë që subjekti ishte besnik”, pra i nënshtruar. Qytetarët e kanë të pamundur të shikojnë rrjetin e ndërthurur të shantazhit që ekziston nëntokë për të konsoliduar pushtetin e udhëheqësve të vendit.

Elementi i tretë i shtetit të shantazhit ishte “zbatimi selektiv i ligjit”. Kjo do të thotë që ligjet nuk zbatohen për besnikët e regjimit, ose për këta ndëshkimet ligjore zbatoheshin shumë butë. Nga ana tjetër, për ata që dalin nga rreshti, pra, për kundërshtarët, ligjet zbatohen në mënyrën më të ashpër të mundshme. Ky sistem i shantazhit targetonte kryesisht njerëzit që ishin aktivë në politikë dhe biznes. Çdo biznesmen faktikisht mund të burgosej kështu që asnjë nuk do të guxonte të mbështeste hapur një parti të opozitës. Me të gjithë këtë sistem, shantazhi lidhet një tjetër term shumë i famshëm i epokës sovjetike të trashëguar në tranzicion, kompromat, që nënkupton material komprometues. Kompromati shfaq një pjesë të potencialit të tij diskreditues kur botohet, por fuqia e madhe është kur mbahet i fshehtë dhe përdoret për negociata, për të detyruar viktimat që të bëjnë një sjellje apo veprim të caktuar.

Në praktikën sovjetike e postsovjetike, ka katër “lloje” të kompromatit që përdoren kundër rivalëve e kundërshtarëve.

Lloji i parë i kompromatit përbëhet nga zbulime të shkeljeve që lidhen me aktivitetet politike të një individi, duke përfshirë abuzimin e detyrës dhe pushtetit, marrëdhëniet me oligarkë, nxjerrje të sekreteve shtetërore, mashtrime, pabesi, komplote etj.

Lloji i dytë i kompromatit ka të bëjë me aktivitetet ekonomike të pakëndshme, shpesh të paligjshme të një politikani, të cilat mund të përfshijnë njërën ose disa nga sa vijon: përvetësimi i fondeve publike, tendera favorizues, marrëveshjet e dyshimta të bankave, abuzime në procesin e privatizimit, aktivitetet në parajsa fiskale, përfshirja në skema financiare ilegale, nepotizmi, financimi i dyshimtë i fushatës zgjedhore, trajtimi preferencial në marrëveshjet ose kontratat e biznesit dhe, më e pranishmja, dhënia apo pranimi i ryshfetit.

Lloji i tretë i kompromatit përfshin aktivitete kriminale, lidhjet me krimin e organizuar, trafiqet e drogës apo armëve, lidhjet me vrasës, përfshirja në dhunë apo shantazh etj.

Lloji i katërt i kompromatit përbëhet nga zbulimet për jetën private, duke përfshirë detaje mbi vese personale, sjellje të pahijshme, zakone të shpenzimeve ekstravagante, përdalje seksuale, tradhtitë bashkëshortore, orientimin seksual apo gjëra që kanë të bëjnë me të afërmit e tyre të ngushtë familjarë.

Si aplikohet kjo praktikë e shtetit të shantazhit në trojet shqiptare? Rastet janë të shumta, por për secilin shtet mjaftohen të përmenden dy raste specifike ilustrative. Në Shqipëri, bujë të madhe ka pas bërë përgjimi i drejtoritë ALUIZN-it, që porosiste zyrtarët e tij që të mbaheshin peng për arsye elektorale të 100 mijë familje shqiptare, të cilët ishin në procesin e legalizimit të ndërtimeve që kanë ndërtuar pa leje. Pra, konkretisht më shumë se 1/8 e familjeve shqiptare mbahen peng dhe kërcënohen me shkatërrim selektiv të shtëpive të tyre informale në rast se mbështesin kundërshtarët politik. Rasti tjetër është lejimi apo tolerimi i mbjelljes masive të hashashit në këmbim të mbështetjes elektorale dhe arrestimi i atyre kultivuesve që mbështesin opozitën. Nuk është rastësi që para zgjedhjeve shpërthen hashashi anembanë vendit. Konkretisht u godit Lazarati që kishte tradicionalisht lidhje me të djathtën dhe mandej u toleruan kultivimet në zona të tjera në këmbim të votave.

Në Kosovë, qeveria Kurti, në vend që të merret me projekte, reforma, nisma legjislative, merret me masa represive duke u shndërruar e reduktuar në një super-prokurori që fokusohet në hetime e ndëshkime. Një ndër nismat e para ishte projektligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, të cilën e konsideronte si një ndër shtyllat në luftimin e korrupsionit në Kosovë. Në vend që të zgjedhë që të ndërmarrë reforma për të parandaluar korrupsionin në të ardhmen, ndërmerr veprime që rreptësojnë ndëshkimet për të kaluarën. Në parim, kjo nismë përdoret me efikasitet në shumë vende për të luftuar korrupsionin, mirëpo në kontekstin e Kosovës ka shumë pak kuptim. Pjesa dërmuese e pasurisë dhe pronave në Kosovë vijnë prej burimeve informale të diasporës masive, e cila me remitancat e saj si dhe me konsumin gjatë pushimeve, vazhdon të ketë rol dominues në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Vështirë se mund të gërmohet e hetohet në shtete si Gjermania e Zvicra për burimet e të ardhurave të qindra mijëra emigrantëve kosovarë që sjellin në atdhe, kryesisht informalisht, qindra milionë euro çdo vit.

Po ashtu, deri para dy dekadash, Kosova ka funksionuar me një sistem paralel qeverisës së rezistencës pasive, e cila ka çimentuar një informalitet që ka vijuar edhe gjatë protektoratit të UNMIK-ut e më tutje. Sistemi paralel ka vijuar mandej me komunitetin serb të kontrolluar nga Beogradi dhe faktikisht shtetasit kosovarë me kombësi serbe do të kishin të njëjtin problem me raportimin e të ardhurave apo pasurisë së akumuluar. Efekti kryesor i kësaj nisme është thjesht trembja e kapitalit vendas, dekurajimin e sjelljes konsumatore dhe për më tepër nxitjen që të shkojnë e të blejnë prona në bregdetin e Shqipërisë, nga frika se blerja e pronave të patundshme në Kosovë mund të shkaktojë probleme me ligjet e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme.

Rasti i dytë ilustrativ në Kosovë është bllokimi i projekteve infrastrukturore në vend, duke rishqyrtuar të gjitha kontratat e rrugëve, me sa duket me shpresën që të gjenden parregullsi e shkelje për të ndëshkuar apo shantazhuar zyrtarë paraardhës. Pra, në vend që të propozojë projekte të reja infrastrukturore të rëndësishme, sikurse mund të ishin rruga Prizren-Tetovë, gaz-sjellësi me TAP-in, hekurudha me Shqipërinë etj., janë bllokuar totalisht projekte që po zvarriten pa nevojën prej vitesh sikurse janë rruga e Mitrovicës dhe e Pejës. Ky veprim të vetmin efekt ekonomik që ka është shkaktimi i një anemie në ekonomi, duke ulur kërkesën agregate që vjen prej moshedhjes në qarkullim të parave të mbledhura nga shteti prej taksave të qytetarëve. Kjo papërgjegjshmëri dhe ky obsesion me investigimin për të gjetur kompromat, ka për ta çuar ekonominë kosovare në kolaps sepse modeli i saj i rritjes është nxitur prej investimeve masive kapitale qeveritare. Sektori i ndërtimit (i treti për nga rëndësia në Kosovë) ka për t’u dëmtuar jashtëzakonisht prej bllokimeve të investimeve publike, ndërkohë që tashmë është prekur rëndë nga pandemia dhe rënia e kërkesës tradicionale të diasporës, e cila u varfërua ndjeshëm prej karantinës së tejzagjur në vendet pritëse perëndimore.

Rreziku i kësaj qasje është që masat represive dhe teknikat e “shtetit të shantazhit” të përdoren edhe mes shqiptarëve sikurse në botën ish-sovjetike, për të forcuar edhe më tej pushtetin politik të përqendruar në pak duar, duke iu dhënë qytetarëve “bukë dhe shfaqje”. Në shtetet perëndimore, liderët rizgjidhen bazuar te rezultatet e suksesshme për sa i përket përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve, forcimit apo rritjes së prestigjit të shtetit të tyre apo përmbushjes së interesave kombëtarë. Në shtetet lindore sikurse ato të shqiptarëve, mungesën e arritjeve dhe performancës, liderët e kompensojnë me masa represive apo duke ndërtuar atë sistem qeverisje, që ka marrë emrin “shteti i shantazhit”. Njerëzve iu jepet “marketing politik” me gladiatorë, pra, në rrethanat bashkëkohore me të korruptuar që bëhen koka turku para publikut. Pram mungesa e zhvillimit, e mirëqenies, e demokracisë, e lirisë apo e integrimit europian të kompensohet në sytë e elektoratit nëpërmjet përdorimit selektiv dhe sensacional të ligjit. Në Shqipëri, kjo praktikë ka vite që bëhet duke ndërmarrë “aksione” me mbulim mediatik, krijimi i OFL-së, apo bërë goditje shembullore publicitare sporadike për të krijuar iluzionin e “dorës së fortë” të ligjit. Gjasat janë të mëdha që e njëjta gjë të bëhet edhe në Kosovë ku veprimet e deritanishme të qeverisë lënë të kuptohet se qëllim kryesor nuk është politikëbërja dhe miradministrimi i buxhetit e pronës publike, por “gjuetia e shtrigave” (në stilin e Putinit gjatë viteve 2000) për të bërë shembuj që ushqejnë retorikën populiste të përmbysjes politike për të luftuar korrupsionin.