Reforma për maturën në Kosovë, standarde më të larta dhe dënime më të ashpra për kopjim
Ndryshime të reja për provimin e maturës në Kosovë, nga standarde më të larta deri te ndëshkime më të ashpra për kopjim. Projektligji ka kaluar në Komisionin për Arsim dhe tashmë i është hapur rruga për votim në Kuvend. Ndryshimet e parapara synojnë ta përmirësojnë organizimin dhe administrimin e testit, duke adresuar problemet e vazhdueshme…
Lajme
Ndryshime të reja për provimin e maturës në Kosovë, nga standarde më të larta deri te ndëshkime më të ashpra për kopjim. Projektligji ka kaluar në Komisionin për Arsim dhe tashmë i është hapur rruga për votim në Kuvend.
Ndryshimet e parapara synojnë ta përmirësojnë organizimin dhe administrimin e testit, duke adresuar problemet e vazhdueshme që e kanë shoqëruar këtë proces ndër vite.
Projektligji për provimin shtetëror, që pritet të marrë bekimin e ligjvënësve, synon përmirësimin e standardeve dhe adresimin e problemeve të evidentuara ndër vite, veçanërisht në administrimin e provimit. Ndryshimet e propozuara nga Ministria e Arsimit përfshijnë masa më të rrepta për parandalimin e parregullsive gjatë testimit, përfshirë kopjimin.
“Kemi propozuar ndryshime në mënyrën e administrimit që të ketë mundësi sa më shumë që hapësirat të jenë sa më të përshtatshme që të pengohen në veprimet të cilat janë të kundërligjshme, që të ketë sa më pak ndërhyrje ose mundësi për kopjime e të tjera”, tha Hajrullah Çeku, ministër i Arsimit.
Në kornizën ligjore do të hyjë edhe rritja e masave ndëshkuese për shkeljet eventuale gjatë procesit, përfshirë gjoba nga një mijë deri në 20 mijë euro për rastet kur nuk raportohen parregullsitë.
“I gjithë grupi punues dhe të gjitha konsultimet që janë zhvilluar me akterët relevant, kanë synuar përveç tjerash me konsolidu këtë aspekt organizimin e Provimit të Maturës Shtetërore për shkak të një përvoje jo të mirë viteve të kaluar dhe një nga elementet që Grupi ka propozuar është rritja e sanksioneve. Ata që angazhohen në veprime të tilla, të kenë ndëshkime shumë më të mëdha. Natyrisht, unë nuk besoj që është i vetmi aspekt, por një nga aspektet të rëndësishme se si mund të sigurohemi për integritet të provimit të maturës është edhe rritja e vlerës të ndëshkimeve edhe gjobave”, shtoi ai.
Monitoruesit e proceseve arsimore ka vite që kanë ngritur shqetësime të shumta, ndaj presin që ndryshimet të reflektojnë pozitivisht në zhvillimin e provimit të maturës.
“Sipas dëshmive të organizatës “Etea” del që inkuadrohen të gjitha palët duke përfshirë edhe mësimdhënësit, edhe prindërit edhe studentët, organizata studentore me pretekstin e ndihmës, e dhënies së ndihmës për nxënësit, për maturantët duke mundësuar, duke toleru dhe në fakt duke inkuraju kopjimin në klasa. Jo në të gjitha klasat, dimë që mandej edhe kjo është një lloj pabarazie për shkak se ka klasa ka administrator të përgjegjshëm dhe nuk e tolerojnë kopjimin”, theksoi Agon Ahmeti, OJQ “Etea”.
Gjatë diskutimit në komision u ngritën edhe çështje që lidhen me përkthimin e testeve në gjuhët e komuniteteve joshumicë, me qëllim shmangien e vështirësive për këta nxënës./RTK